Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Gjyqtar Ndërkombëtar në Gjykimin e Sami Lushtakut

Në seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen e Sami Lushtakut dhe 23 të akuzuarve të tjerë, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK të Lushtakut në kohën kur ky ishte në paraburgim, prokurori Romulo Mateus ka kërkuar që së paku një anëtar i trupit gjykues të jetë ndërkombëtar.

“Së pari zyrtarisht nuk jam njoftuar sa i përket përbërjes së trupit gjykues. Me gjithë respektin por unë ende mendoj që së paku një anëtar i trupit gjykues duhet të jetë ndërkombëtar”, tha prokurori Mateus.

Në seancën e sotme Sami Lushtaku tha se nuk e ndjen veten fajtor dhe aktakuzën e ngritur kundër tij e quajti “përndjekje familjare”.

http://kallxo.com/lushtaku-nuk-e-ndjen-veten-fajtor/

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë ka edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg