Shefqet Krasniqi në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Dënimin e Shefqet Krasniqit

Në seancën ku po jepet fjala përfundimtare në gjykimin e ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, prokurori special Elez Blakaj tha se pas administrimit të të gjitha provave është provuar në tërësi gjendja faktike siç është përshkruar në aktakuzë.

“I pandehuri i ka kryer veprat për të cilat akuzohet se ka shpërndarë me gjuhë të vrazhdë mesazhe që kanë nxitur të rinjtë që të shkojnë ne zonat e konfliktit. Po ashtu ka nxitur urrejtje”, tha prokurori Blakaj.

Prokurori i Prokurorisë Speciale tha se është vërtetuar edhe pika e tretë e akuzës – shmangie nga tatimi.

“Gjuha e përdorur nga i akuzuari ka qenë e vrazhdë dhe interpretimi i ajeteve kuranore ka qenë jashtë kontekstit dhe tri përgjigjet e BIK e vërtetojnë se nuk pajtohen me gjuhën e të akuzuarit”, theksoi prokurori.

Prandaj, prokurori kërkoi dënimin e të akuzuarit Shefqet Krasniqi dhe Gjykatës i propozoi që si rrethanë rënduese të ketë parasysh peshën dhe rrezikshmërinë e veprës,  ndërsa si rrethana lehtësuese në raport me veprën e tretë, faktin që është paguar obligimi tatimor.