Prokurori Kërkon Dënimin e ish Drejtorit të Arsimit në Malishevë

Agron Matjani, që e mbron lëndën ndaj Blerim Thaçit, tha se në tërësi qëndron pranë aktakuzës së ngritur.

“Ngeli në tërësi pranë aktakuzës të ngritur kundër të akuzuarit Blerim Thaçi. Propozoj që gjykata të akuzuarin Blerim Thaçi ta shpall fajtor”, tha prokurori Matjani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Blerim Thaçi në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Malishevë akuzohet se ka dhënë urdhër që të kryhen punimet e rrethojës së Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë në mars të vitit 2014, përderisa fituesi i tenderit  është shpallur tek më 10 prill të atij viti në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Prokurori theksoi se punimet janë kryer pa asnjë lloj procedure.

“E gjithë kjo procedurë ka qenë formale pasi që punimet janë kryer më herët,” shtoi prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Agron Matjani.

Ndërsa, Emrush Kastrati, avokati i të akuzuarit Thaçi e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, konsideroj se me asnjë provë relevante nuk është vërtetuar teza e aktakuzës së prokurorit të shtetit“, tha avokati Kastrati.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të martën.