Nga një seancë e gjykimit të Kolë Pukës - Foto: KALLXO.com

Prokurori: Ish-Gjykatësit Puka t’i Konfiskohen Banesat, Trolli e ‘Audi A6’

Ish-gjykatësi Kolë Puka akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash, mashtrim e vepra të tjera penale.

Në seancën e rigjykimit të ish-gjykatësit Kolë Puka, i cili akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash e vepra të tjera penale, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ali Rexha, i propozoi trupit gjykues që lidhur me konfiskimin e dy banesave të të pandehurit në Klinë të bëjë ndarjen e tyre, duke kërkuar që të konfiskohet vetëm njëra.

NDËRLIDHUR

“Edhe pse këto banesa të dyja janë të bashkuara, ajo e cila është blerë më herët nga Kolë Puka dhe banesa e cila supozohet se e ka përfituar nëpërmjet veprës penale, ne kërkojmë që të konfiskohet vetëm njëra”, tha prokurori Rexha.

Ai po ashtu propozoi që të pandehurit t’i konfiskohet edhe trualli në sipërfaqe prej 300 metra katrorë, i cili është në emër të të ndjerit Ilmi Hana, e që më vonë është konstatuar se në atë truall është ndërtuar një shtëpi dykatëshe që do të thotë se propozimi i Prokurorisë është që të konfiskohet edhe parcela e edhe shtëpia.
Po ashtu, prokurori kërkoi që atij t’i konfiskohen edhe një banesë në “Ulpianë” në Prishtinë dhe një veturë e tipit “Audi A6”.

Sa i përket propozimeve të prokurorit për konfiskimet kundërshtime pati nga Tahir Rrecaj, avokat i të pandehurit.

Ai tha se banesa në Klinë është blerë në gusht të vitit 2001, ndërsa banesa tjetër për të cilën ka hequr dorë prokurori është blerë në dhjetor të 2001.

“Periudha për të cilën Prokuroria e inkriminon Kolë Pukën e përfshin periudhën kohore nga nëntori i vitit 2002 e deri në nëntor të vitit 2007, që do të thotë se këto banesa janë blerë para periudhës së inkriminimit”, theksoi avokati Rrecaj.

Ndërsa, vetë i pandehuri Kolë Puka tha para trupit gjykues se posedon dokumentet e objekteve të cilat do të dëshmojnë që ato janë blerë para periudhës së inkriminimit dhe se me to do ta dëshmojë pafajësinë.

Puka po ashtu theksoi se ai edhe më herët kishte paraqitur kërkesë para trupit gjykues që të kërkojë nga prokurori që dokumentet e paraqitura si prova t’i paraqes origjinale e jo kopjen e tyre. Puka tha se kopjet nuk mund të merren si prova.

Në këtë seancë, prokurori Ali Rexha i propozoi trupit gjykues që në seancën e radhës si dëshmitar të dëgjohet Naser Ramuka, propozim që u kundërshtua nga pala e akuzuar, por trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e pranoi këtë propozim.

Po ashtu u aprovua edhe propozimi i avokatit Tahir Rrecaj që në seancën e radhës të ftohet dëshmitari Gjokë Nika.

Ish-gjykatësi Puka akuzohet se më 4 qershor 2008 ka nxjerrë një vendim mbi kompensimin e pretendimeve në rastin e familjes së Rrustem dhe Qazim Gashit. Në të njëjtin rast sipas Prokurorisë Puka ka nxjerrë një marrëveshje shtesë gjyqësore më datë 4 qershor 2008 ku miratonte një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar.

Sipas aktakuzës, Lon Palushaj ka përfaqësuar rastin “Familja Gashi”, ndërsa të njëjtën me një numër tjetër të lëndës e ka bërë edhe Zef Marleku. Sipas aktakuzës, asnjëri nuk ka pasur autorizimet përkatëse për këtë përfaqësim nga familjet e palëve të lënduara (dëmtuara).

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kolë Puka ka nxjerrë vendime të paligjshme sepse ka vendosur mbi kërkesat për kompensim, pavarësisht nga fakti se kishte pasur dijeni që Zef Marleku dhe Lon Palushaj nuk ishin në përputhje me palët e përfaqësuara.

Aktakuza e prokurorit Rexha përshkruan se ish-gjykatësi Puka kishte miratuar si kompensim 56 mijë euro për Lon Palushajn, ndërsa në rastin tjetër i kishte miratuar shumën prej 61 mijë eurove Zef Marlekajt, ndërsa Hilmi Hana i kishte transferuar këto fonde në llogaritë bankare të avokatëve Zef Marleku dhe Lon Palushaj.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Kolë Pukën se mes datës 18 nëntor 2002 deri më 18 dhjetor 2007, duke shfrytëzuar pozitën e tij si gjykatës ka përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale të Klinës duke vulosur 19 autorizime për përfaqësim ligjor përkundër faktit se personat në fjalë nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për përfaqësim ligjor.

Ky gjykim po zhvillohet rishtazi pasi që Gjykata e Apelit kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seanca e kaluar.

Më 2012, ish-gjykatësi Puka ishte dënuar me 10 vjet burgim. Më herët, të njëjtin vit, ai ishte dënuar edhe me 5 vjet të tjera.

http://kallxo.com/gjnk/dhjete-vjet-burg-per-ish-gjykatesin-kole-puka/

ETIKETA

16 Prill 2017 - 14:40

Blerta Iberdemaj, Kastriot Jëlliqi 16/04/2017 - 14:40
NDËRVEPRIMI0

Prokurori: Ish-Gjykatësit Puka t’i Konfiskohen Banesat, Trolli e ‘Audi A6’

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend