Kadri Veseli - Foto: Facebook

Prokurori Heq Dorë nga Dëshmia e Kadri Veselit për Albin Kurtin

Prokurori Vesel Gashi ka hequr dorë nga dëgjimi i Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Monitoruesi i KALLXO.com raporton se kërkesa e prokurorit ka ardhur pas përfundimit të dëshmisë së deputetit Armend Zemaj.

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ishte paraparë të dëshmojë sot në këtë proces mirëpo ende nuk janë të qarta arsyet e mosdëshmisë së tij.

Heqja dorë nga dëshmia e Veselit është kundërshtuar nga mbrojtja ndërsa Albin Kurti e ka pyetur prokurorin nëse ai është i kapur pasi hoqi dorë nga dëshmia e Veselit.

“Prokuror pse hoqe dorë? A je i kapur?” ka pyetur Kurti ndërsa deputetja Haxhiu ka kërkuar sqarime pse zyrtarë të protokollit janë thirrur për të dëshmuar e Kadri Veseli jo. Arsyetimi zyrtar i prokurorit për mosparaqitjen e Veselit është se dëshmia e tij është e ngjashme.

KALLXO.com raportoi sot më herët se për shkak të shtyrjes për një orë të seancës Kadri Veseli nuk do të dëshmojë në gjykimin e sotëm të deputetëve të VV-së.

Kabineti i kryetarit Kuvendit të Kosovës tregon për KALLXO.com se Veseli ishte në gjykatë në orën 9:00, por e ka të pamundur për shkak të agjendës të jetë atje një orë më vonë.

http://kallxo.com/kadri-veseli-nuk-merr-pjese-ne-gjykimin-e-deputeteve/

“Për shkak të ndërrimit të kohës së seancës, pa njoftim paraprak, dhe agjendës së planifikuar më herët, në takime dhe aktivitete të tjera ditore, ai e ka të pamundur të merr pjesë në seancë gjyqësore”, shpjegon kabineti i kryetarit Veseli.