Gjykimi për vepra që lidhen me terrorizmin |(Arkiv) | Foto: KALLXO.com

Prokurori: Gjykimi për Terrorizëm t’u Kthehet Gjykatësve të EULEX- it

Në gjykimin ku 5 persona akuzohen për terrorizëm, është kërkuar kthimi i trupit gjykues të EULEX-it.

Prokurori i çështjes, Drew Angel, ka kërkuar që lënda të gjykohet nga një trup i EULEX- it që e ka gjykuar këtë çështje penale edhe më parë, me arsyetimin se trupi i EULEX- it është i njohur me rastin.

Kjo kërkesë e prokurorit Angel ka ardhë si rezultat i asaj që trupi gjykues është ndërruar përsëri.

Aktualisht, lënda po gjykohet nga një trup gjykues vendor në krye me gjyqtarin Naser Foniqi, ndërkaq më herët është gjykuar nga gjyqtarja Nora Bllaca- Dula e cila tashmë ka kaluar në Gjykatën e Apelit.

E krejt në fillim, lënda ishte trajtuar nga gjyqtarët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, në mungesë të dy avokatëve të të akuzuarve seanca e sotme nuk procedoi më tutje.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, bëri të ditur se seanca shtyhet për një afat të pacaktuar deri sa të merret vendimi lidhur me kërkesën e prokurorit.

Në këtë proces gjyqësor, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Pjesë e aktakuzës në vitin 2013 ishte edhe Bekim Mulolli, i vrarë në tetor të vitit 2015 në luftën në Siri, në përkrahje të ISIS-it. Pas pranimit të fajësisë, procedura ndaj tij ishte veçuar dhe të njëjtit iu ndërrua masa e paraburgimit, duke e lënë në arrest shtëpiak.

Lënia në arrest shtëpiak e Mulollit mundësoi vajtjen e tij në Siri, ndërkohë që seanca ndaj tij vazhdonte në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor ndërsa raportet mund t’i gjeni në këtë link.