Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të Fatmir Limajt dhe të tjerëve - Foto: KALLXO.com

Prokurori Fton Gazetarin të Dëshmojë në Gjykimin e Limajt

Prokurori Hardaway theksoi para trupit gjykues se dëshmia e Zekës do të ishte mjaft e rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.

Sipas tij, në një intervistë për gazetën “Bota Sot” më 25 maj të këtij viti, Milaim Zeka ka treguar se posedon prova shfajësuese për Limajn dhe të tjerët në rastin e njohur si MTPT.

Prokurori tha se një pjesë e kësaj interviste kishte të bënte me bashkëveprimin e Zekës dhe Limajt.

“Gjatë kësaj interviste Zeka ka thënë se ka bërë një hulumtim të tijin që mund të ndodhë se rezultati i saj është shfajësues. Gjatë kësaj interviste thotë se është në posedim të provave që mund të jenë të dobishme për këtë lëndë. Andaj Prokuroria kërkon që ai të sillet së bashku me të gjitha materialet që ai mund t’i ketë në posedim për këtë lëndë. Unë e kam të shtypur intervistën. Duhet t’i them Gjykatës se Milaim Zeka është gazetar dhe mund të mos tregojë burimin e informatave”, tha Hardaway.

Më tej ai theksoi faktin se Zeka tanimë është anëtar i Nismës për Kosovën, parti kjo e drejtuar nga i akuzuari Limaj.

“Ai po ashtu është anëtar i partisë së z. Limaj. Është relevante për këtë lëndë se në bazë të tonit dhe natyrës së deklaratës ka lënë të kuptojë se posedon informata shfajësuese për Limajn. Nëse jemi duke e kërkuar të vërtetën atëherë duhet ta ftojmë”, tha ai.

Prokurori tha se nuk do të kishte kuptim që personat si Zeka, të cilët posedojnë prova shfajësuese për një lëndë kaq voluminoze, të mos dëshmojnë para Gjykatës, duke theksuar faktin se Prokuroria sjell para Gjykatës si prova fajësuese ashtu edhe shfajësuese.

Lidhur me këtë propozim, kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma, pyeti prokurorin se a ka njohuri Prokuroria se për çfarë prova bëhet fjalë dhe se a e mbështesin prokurorin në çfarëdo mënyre, prokurori u përgjigj: “Jo, Zeka pretendon se ka informata por nuk e saktëson se cilat”.

Por ky propozim nuk u mirëprit nga mbrojtja, në veçanti nga vet Limaj dhe avokati i tij, Tahir Rrecaj.

“I ke provat shfajësuese dhe procesi është i montuar politikisht. Qitni provat shfajësuese dhe mbylleni këtë maskaradë. E keni bërë dramë. Kryjeni punën e juaj dhe leni gazetarët rehat”, tha i akuzuari Fatmir Limaj.

Ndërsa avokati i tij tha se në bazë të ligjit, dëshmitarët të cilët nuk kanë qenë të propozuar në aktakuzë, duhet të propozohen pasi që të përfundohet me dëshmitarët vetëm se të propozuar.

“Çka mund të na ofrojë Milaim Zeka? Ne duhet të përfundojmë me provat e propozuara në aktakuzë e pastaj si kërkon ligji, secila nga palët mund të propozojë prova të reja. Nëse nisemi nga kjo praktikë Zoti ta dijë se edhe sa dëshmitarë e gazetarë që kanë shkruar për këtë çështje duhet të ftohen”, tha Rrecaj.

Vendimi lidhur me ftesën e Milaim Zekas për të dëshmuar në gjykimin e Limajt dhe të tjerëve do të merret në seancën e radhës, ku Gjykata do të ketë kohë edhe për shqyrtimin e këtij propozimi.

Në këtë proces, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.