Ratko Mlladiq në gjykatë

Prokurorët: Mladiq Terrorizoi Sarajevën Gjatë Rrethimit

Ditën e tretë dhe të fundit të përmbledhjes së prokurorisë, prokurori Adam Weber tha në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të mërkurën se gjatë tre viteve e gjysmë luftë, Ushtria Serbe e Bosnjës e komanduar nga Ratko Mladiq e goditi Sarajevën me artileri të ndryshme dhe përdori snajpera për të qëlluar civilë.

Prokurori vuri në gjykatën e OKB-së regjistrimin e një bisede të përgjuar nga maji 1992, gjatë të cilit Mladiq dha një urdhër të hapej zjarr mbi lagjet Velesici dhe Pofalici të qytetit “sepse në to nuk jetonin shumë serbë”.

“Le t’ua heqim mendjet që të mos i zërë gjumi,” tha Mladiq gjatë regjistrimit.

Sipas prokurorit, kjo ishte dëshmi e mirë se bombardimi kishte si qëllim “përhapjen e terrorit” mes popullsisë së kryeqytetit boshnjak.

Weber tha se trupat e Mladiqit i nënshtruan civilët në Sarajevë “ndaj bombardimeve masive që mbuluan të gjithë qytetin” ose bombardime sporadike, në varësi të vendimeve të tij gjatë të gjithë luftës së viteve 1992-1995.

Ai tha se Mladiq, së bashku me liderin politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq, i përdori sulmet mbi qytet si një mjet për të ushtruar presion mbi autoritetet Sarajevës dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Asnjë pjesë e qytetit nuk u kursye. Spitalet, njerëzit nëpër funerale, njerëzit në radhë për ujë dhe ushqim u shënjestruan. Madje, as xhamitë nuk u kursyen,” tha Weber.

Prokurori citoi të dhëna nga të dhënat nga UNICEF nga viti 1994, të cilat thoshin se “zjarri i drejtpërdrejtë me snajper u hap mbi rreth 40 për qind të fëmijëve në Sarajevë”.

Duke sfiduar pretendimet e mbrojtjes se Mladiq ndaloi “sulmet ofensive” dhe ato mbi civilët, prokurori paraqiti urdhra që tregonin se kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës e kishte vazhduar këtë duke thënë “jo pa lejen time”.

“Kjo s’është njësoj me ta ndalosh një gjë,” tha Weber.

Për të theksuar qëndrimin e Mladiq ndaj civilëve, Weber citoi fjalët e tij nga një regjistrim që u luajt në sallën e gjyqit: “Sa herë që vij në Sarajevë, vras ndonjë gjatë rrugës.”

Duke hedhur poshtë pretendimin e mbrojtjes se Mladiq “nuk ka dhënë urdhër që snajperët të qëllonin civilët”, prokurori vuri në dukje se në vitin 1995, Mladiq pranoi para komandantit të forcës paqeruajtëse të OKB-së, UNPROFOR, se sulmet me snajper ishin intensifikuar.

Prokurori tha gjithashtu se pretendimi i mbrojtjes se forcat serbe “thjesht reaguan” ndaj sulmeve të Ushtrisë Boshnjake nga Sarajeva ishin të rreme.

Ai argumentoi më tej se pretendimi i mbrojtjes se Ushtria Boshnjake ishte përgjegjëse për shumicën e sulmeve kundër civilëve në Sarajevë “ishte i pabazë, ose, në fakt, i bazuar në prova që nuk ekzistonin”.

Prokurori hodhi poshtë gjetjet e ekspertes së balistikës nga ana e mbrojtjes, Zorica Subotiq, e cila tha se dy shpërthime vdekjeprurëse në tregun Markale që vranë shumë njerëz janë shkaktuar nga minat e vendosura, duke e quajtur këtë “një teori konspiracioni”.

“Ajo e trilloi të gjithë,” tha prokurori.

Weber tha se mbrojtja u përpoq ta paraqiste Mladiqin si një “shpëtimtar heroik” të civilëve, duke pretenduar se ai siguroi mirëqenien e popullsisë lokale.

“Nuk mund të largoni asgjë nga e vërteta,” tha ai.

Sipas prokurorit, Mladiq në fakt i privoi civilët në Sarajevë nga ndihma humanitare, energjia elektrike, uji dhe gazi, gjë të cilën ai “e përdori si mjet” për të arritur qëllimet e tij.

“Pretendimi i mbrojtjes se Mladiq nuk dha urdhra për t’i privuar njerëzit nga ndihma është i çuditshëm. Mladiq kontrolloi dhe kufizoi ndihmat dhe nevojat themelore,” tha Weber.

Prokurori u përpoq ta vërtetonte këtë duke cituar një nga urdhrat e Mladiqit: “Ndërprisni menjëherë furnizimin me ujë, energji elektrike dhe gaz në pjesën myslimane të Sarajevës”.

Ndryshe nga pretendimet e mbrojtjes se “lëvizja e lirë lejohej gjithmonë” për civilët në Sarajevë, Weber argumentoi se Mladiq ishte “krenar për bllokadën në Sarajevë”.

Ai tha se trupat serbe bllokuan të gjitha rrugët nga qyteti dhe qëlluan civilët që përpiqeshin të largoheshin.

Mladiq akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Masakra e Srebrenicës pa vrasjen e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa rreth 10,000 persona vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës për shkak të sulmeve me snajper, bombardimeve dhe privimeve të tjera.

74 vjeçari është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.

Mbrojtja do të japë deklaratat e saj mbyllëse nga data 9 deri më 13 dhjetor.

Të dyja palët do të kenë mundësi të komentojnë deklaratat mbyllëse të secilës më 15 dhjetor në gjykatën e OKB-së.

Gjyqi filloi në maj 2012 dhe vendimi pritet të jepet në vitin 2017.