Ratko Mlladiq në Gjykatën e Hagës.

Prokurorët e Hagës Kundërshtojnë Lirimin e Mlladiqit për Kurim

Prokurorët të hënën i shkruan gjyqtarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për të kundërshtuar kërkesën e Mlladiqit për lirimin e tij të përkohshëm nga paraburgimi që të shkojë për trajtim në Rusi për shkak të një “gjendje me rrezik për jetën”, duke këmbëngulur se kërkesa nuk kishte baza.

Prokurorët Peter McCloskey dhe Alan Tieger thanë se Mlladiq qe në arrati për 16 vjet dhe kështu që ekzistonte një rrezik i madh që ai të mund të arratisej para se të merrej vendimi në gjyqin e tij.

“Historia e tij e gjatë si një i arratisur i drejtësisë dhe ashpërsia e akuzave kundër tij tregojnë rrezikun se ai do të arratisej para dhënies së vendimit,” thanë McCloskey dhe Tieger.

Ata thanë gjithashtu se Mlladiq kishte marrë kujdesin e duhur në qendrën e paraburgimit të OKB-së.

“Pretendimet e mbrojtjes për vazhdimin e përkeqësimit të gjendjes së të akuzuarit nën kujdesin e ekipit mjekësor që është kujdesur për të për vite me radhë nuk lindi më kot. Në vend të kësaj, pas degradimit të rëndësishëm shëndetësor gjatë kohës së tij në arrati, i akuzuari arriti në ICTY i sëmurë rëndë,” u shprehën ata.

“Trajtimi mjekësor që pasoi, siç e pranoi ai në mënyrë eksplicite, i shpëtoi atij jetën,” shtuan ata.

Mlladiq pësoi dy infarkte para se ai të kapej dhe ekstradohej në Hagë në vitin 2011.

Avokatët e Ratko Mlladiq paraqitën një mocion në Gjykatën e Hagës muajin e kaluar duke kërkuar lirim të përkohshëm në mënyrë që ish-gjenerali serb i Bosnjës të mund të kurohet në një spital në Rusi.

Mocioni thoshte se 74-vjeçari Mlladiq ishte “në gjendje të komplikuar dhe kërcënuese për jetën” dhe kishte nevojë për kurim “që të lehtësonte efektet e gjashtë viteve në burg”.

Avokatët paraqitën mendimet e tre mjekëve të cilët thanë se Mlladiq nuk po merrte kujdesin e duhur mjekësor në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, dhe kjo po shkaktonte “përkeqësim serioz të gjendjes së tij shëndetësore”.

“Këto simptoma të reja janë shenja që alarmojnë për mundësinë e një infarkti ose ataku të ri në zemër, e cila mund të çojë në vdekje,” paralajmëruan ata.

Ata thanë se Rusia ishte e gatshme të garantonte se Mlladiq do të kthehej në Hagë kur t’i kërkohej kjo gjë.

Mlladiq po gjykohet për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrje peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e tyre mbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimi pritet të merret në nëntor.