Gjykimi për librat e përkthyer | Foto: KALLXO.com

Prokuroria Kundërshton Superekspertizën në Gjykimin e Enver Hasanit

Prokurorja Drita Hajdari në gjykimin e Enver Hasanit, Hakif Veliut e Albert Rakipit të akuzuar për mashtrim në lidhje me përkthimin e disa librave për Universitetin e Prishtinës nuk ishte e kënaqur me rezultatet e superespertizës financiare.

Rezultatet e kësaj superekspertize që lidheshin me çmimet e përkthimit të këtyre librave, i prezantuan dje në gjykatë ekspertët-dëshmitarë Muhamet Aliu, Rrustem Asllanaj dhe Sadete Pllana.

Këta të tre ishin hartuesit e superekspertizës së paraqitur në seancë, ndërsa konstatuan se Universiteti i Prishtinës nuk u dëmtua financiarisht nga përkthimi i librave.

Ekspertët nxorën humbës Institutin e Studimeve Ndërkombëtare që përktheu librat.

“Oferta e institutit të Studimeve Ndërkombëtare (ISN) për përkthimin e librave krahasuar me ofertën më të shtrenjtë ka qenë 355 për qind më e lirë dhe 296 për qind më e lirë nëse e krahasojmë me vlerën mesatare të ofertave aktuale në treg. oferta e Institutit krahasuar me çmimin e vendosur nga vete Universiteti i Prishtinës është 755 për qind më e lirë”, konstatuan ekspertët.

Prokurorja Drita Hajdari e pyeti ekspertin-dëshmitar Muhamet Aliu se a kanë tejkaluar hartuesit  e superekspertizës objektin e kërkesës, a kanë shkuar pak më gjerë në ekspertizë përveç detyrave të caktuara në kërkesë.

“Ne vetëm kemi konstatuar ndryshimin mes faturimit dhe pagesës [të librave të përkthyer]”, tha eksperti Aliu, duke iu përgjigjur pyetjes së prokurores.

Për këtë dhe shumë pyetje të tjera të cilat iu parashtruan ekspertit dëshmitar të thirrur nga gjykata, pati vërejtje dhe kundërshtime nga ana e Bajram Tmavës, avokatit mbrojtës të Enver Hasanit.

Avokati Tmava tha se Drita Hajdari po manipulon me pyetje sepse eksperti kishte dhënë tashmë përgjigje rreth atyre pyetjeve në raportin e ekspertizës financiare dhe se prokurorja po insiston në përgjigje nga dëshmitari ashtu si po i konvenon asaj.

Prokurorja rreth këtyre kundërshtime nga ana e avokatit Tmava iu drejtua trupit gjykues me fjalët “unë konsideroj se ekspertët në ekspertizë kanë tejkaluar kompetencat apo detyrat të cilat u janë dhënë nga gjykata e që janë mashtruar keq”.

Pas Muhamet Aliut dëshminë e saj e dha edhe ekspertja Sadete Pllana.

Më pas prokurorja propozoi që të ftohet si dëshmitar Jorgjii Qirjako, nënkryetar dhe menaxher i financave në Institutit të Studimeve Ndërkombëtare.

Edhe këtë propozim të prokurores, si edhe pyetjet e saj më parë, i kundërshtoi avokati Tmava.

Tmava tha se Qirjako mund të ftohet për të sqaruar e-mail-at që ka shkëmbyer me UOP-në për librat e përkthyer, ndërsa konstatoi se posta elektronike nuk mund të merret si provë.

Avokati Gazmend Nushi tha se edhe vetë më herët në këtë proces gjyqësor e kishte propozuar Qirjakon si dëshmitar, por tregoi se atëherë propozimi i tij ishte refuzuar. Megjithatë, Nushi tha se e përkrah kërkesën për dëshminë e Qirjakos.

Trupi gjykues për propozimin e Jorgji Qirjakos si dëshmitar do të vendosë jashtë procesit gjyqësor, ndërsa për këtë gjë palët do të njoftohen me kohë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohen se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, sipas marrëveshjes paraprake, kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

http://kallxo.com/ekspertize-e-re-ne-rastin-gjyqesor-ndaj-enver-hasanit/

http://kallxo.com/ekspertja-financiare-ne-gjykimin-e-enver-hasanit/

http://kallxo.com/kelmendi-48-mije-euro-demi-shkaktuar-se/