Prokurimet i Drejton Zyrtari me Shkollë të Mesme

“Letërnjoftimi i Komunës së Kamenicës” nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka evidentuar se në njësinë për prokurim janë të punësuar katër veta, e vetëm njëri prej tyre ka të kryer fakultetin ndërsa tre të tjerët janë me shkollë të mesme.

Pasi kreu i komunës kishte larguar nga puna në mënyrë të jashtëligjshme menaxherin e prokurimit, Hasan Keqmezi, në vend të tij kishte emëruar Sadik Thaçin. Raporti i GAP-it konstaton se Thaçi nuk është i kualifikuar për të menaxhuar me Njësinë e Prokurimit ngase ai ka vetëm shkollën e mesme.

Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, Njësia e Prokurimit duhet të menaxhohet nga një person me edukim të lartë dhe i certifikuar për prokurim.

Person tjetër i punësuar në Njësinë e Prokurimit është edhe Hatixhe Canaj, po ashtu me shkollë të mesme, e cila në mandatin e dytë të Shaip Surdullit (2002-2007) ishte e punësuar si sekretare në Zyrën e Kryetarit.

Edhe pse në Komunën e Kamenicës ka persona të cilët janë të certifikuar për punët e prokurimit, komuna nuk ka hapur konkurs për Menaxher të Prokurimit. Auditori i Brendshëm dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kanë gjetur parregullsi në menaxhimin e Njësisë së Prokurimit.
 
Kreu i Kamenicës, nuk e ka shumë problem se ka zyrtarë në zyrën e prokurimit me shkollë të mesme. Ai në debatin “Jeta në Komunë” mendon se Sadik Thaçi pa marrë parasysh shkollim është i certifikuar për atë punë. “Sadik Thaçi nuk e ka fakultetin po është menaxher i zyrës së prokurimit. Ai është i certifikuar që ta kryejë atë punë. Aty kemi edhe njerëz me fakultet”.

Surdulli e pranon se në zyrën e prokurimit punon edhe Hatixhe Canaj e cila ka të kryer vetëm shkollën e mesme. “Ajo është përgjegjëse për çështje administrative. Për punët që i kryen ajo, edhe mjafton. Ne nuk mundemi aq lehtë t’i largojmë njerëzit”, pohon Surdulli.

Prej 222 punëtorëve sa ka gjithsej komuna e Kamenicës, vetëm 86 kanë të kryer fakultetin. “Megjithatë ne nuk mund t’i ndërrojmë ata sepse ka procedura të komisionit disiplinor për ta larguar një punëtorë”, arsyetohet Surdulli.

Surdulli thotë se nuk ka mundësi t’i largojë këta njerëz nga puna ndonëse deri më tash 45 janë larguar. Mirëpo disa punëtorë janë kthyer në punë dhe atyre komuna u është dashur t’u paguaj dëmshpërblim 40 mijë e 600 euro.

E në kuadër të punësimeve të reja kryetari nuk ka harruar t’i punësojë disa njerëz të partisë së tij. Ai ka punësuar Fitore Ajvazin pasi që vjehrri i saj ia kishte dhënë zyrat për LDK-në. “Kur kam mundësi pse mos me t’ia kthej”, thotë kryetari.

Surdulli gjithashtu ka punësuar vajzën e shefit të arsimit në komunën e Kamenicës Xhavit Ramadani, Norën, si arsimtare përkundër faktit se ajo nuk kishte diplomë. “Edhe pse i ka munguar diploma ndërkohë e ka kryer”, thotë kreu i komunës. “Nuk jam unë i pirë të bëjë dallime dhe nuk e kam askënd nga familja ime të punësuar”.