Mesues, FOTO: Ilustrim, KALLXO.com

Projektligji për Punëtorët e Arsimit të Viteve 90-ta, nesër në Kuvend

Kuvendi i Kosovës pritet të bëjë shqyrtimin e parë të Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Në seancën plenare që pritet të mbahet nesër nga ora 10 është vënë në rend dite edhe projektligji për parasheh status të veçantë për punëtorët e arsimit paralel të viteve 90-ta në Kosovë.

Sipas këtij Projektligji, përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Pensionet e parapara rangojnë nga 65 përqind deri në 75 përqind të rrogës bazë të mësimdhënësve për ata që punuan në sistemin paralel deri në pesë dhe përkatësisht 10 vite.

Qeveria e Kosovës nën kërcënimin e grevës së mësimdhënësve, kaloi Projektligjin për Punëtorët e Arsimit në Vitet e 90-ta më 11 prill.

Ky projektligj u kritikua nga Fondi Ndërkombëtar Monetar (FMN), pasi sipas tyre nëse hyn në fuqi mund të ketë kosto shumë të madhe për buxhetin që komprometon edhe investimet në të ardhmen e arsimit.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, kishte thënë përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kishte bërë me dije miratimi i këtij projektligji është e vetmja rrugë për të evituar grevat e përgjithshme të mësimdhënësve.

Mësime në Rezistencë: Sistemi Paralel i Arsimit në Kosovë në Vitet ‘90