Prishtina. Foto: Kallxo.com

Projektligji për Prishtinën Diskutohet në Kuvend

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media kanë shqyrtuar Projektligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, në një mbledhje në të cilën po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë dhe Policisë së Kosovës.

Pas një debati rreth këtij dokumenti, ata në mënyrë unanime kanë vendosur që ta dërgojnë atë në Kuvend për shqyrtim të mëtejmë.

Zêvendes Ministri i Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi e arsyetoi këtë projektligj duke thënë se ai do t’i ofrojë kryeqytetit të Kosovës kompetenca shtesë duke përfshirë policinë e vet, spitalin si dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike me dy të tretat e votave.

Krasniqi tha se me këtë projektligj, Prishtinës i ofrohet edhe 4.1 përqind shtesë e grantit për komuna që ndahet nga buxheti i Kosovës.

Përfaqësuesja e Vetëvendosjes në këtë komision, Shqipe Pantina, tha s enë parim e mbështet projektligjin që javën e kaluar u miratua në qeveri.

“Është normale qe kryeqyteti të ketë një status tjetër krahas komunave tjera për shkak se   shërbimet administrative dhe diplomatike janë të përqendruara në Prishtinë. Kërkoj nga kolegët e mi që ta harrojmë fushatën zgjedhore dhe mos të mendojmë kush e qeverisë Prishtinën por të mendojnë dhe ta duan Prishtinën”, tha Pantina.

Xhevahire Izmaku e PDK-së dha vërejtjet rreth përmbajtjes së draftit të ofruar te deputetët.

“Nuk kemi me pasë mundësi që shumë lehtë me punu në projektligj se në bazë të asaj që e kam parë i bjen qe kemi me prekë në shumë çështje. Çështja e policisë për kryeqytet duhet të shikohet, pastaj e drejta që i jepet për themelimin e ndërmarrjeve publike”, tha Izmaku.

Milaim Zeka nga NISMA i dha mbështetje dokumentit dhe premtoi se atë do ta mbështesë i tërë grupi i tij parlamentar.

“LDK dhe PDK janë fajtorë për këtë ligj. Ky ligj është hera e tretë që vjen po keni qenë te zënë nëpër udhëtime.  Ky është një lajm tepër i gëzueshëm për qytetarët e Prishtinës dhe për katunarët që kemi ardhur këtu”, tha ai.

“Është shumë e turpshme që LDK dhe PDK për 17 vite e kanë dhunu kryeqytetin. Unë dëshiroj të them ky ligj do të ketë mbështetjen absolute të NISMA-s”, tha Zeka.

Mbështetje projektligji mori edhe nga Rasim Selmanaj i AAK-së.

“Në bazë ta asaj që e dëgjova zëvendës ministrin flitet për një projektligj të mirëfilltë. Mirë që tash ka ardhur dhe ne e përkrahim këtë ligj. Kur ekziston vullneti vështirwsitë duhet të kalohen. Ne duhet të jemi të gjithë mbwshtetës pavarësisht bindjeve politike’, tha Selmanaj.

Edhe Imet Rrahmani i LDK-së e mbështeti nismën që Prishtina më në fund ta ketë ligjin e vet.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Foto: Kallxo.com

“E mirëpres këtë ligj. Natyrisht se ka mundur të jetë edhe më herët dhe nuk po du të hyj andej. Po ne si LDK e përkrahim. Ka pasur dilema të ngritura rreth komunave tjera sa i përket fushës së sigurisë’, tha Rrahmani.

“Unw mendoj qe është sfidë e madhe ndërtimi i spitalit në kryeqytet për dy vite duke pasë parasysh implikimet buxhetore”, shtoi ai.

I pranishëm në takim ishte edhe përfaqësuesi i Policisë se Kosovës.

Koloneli Riza shillova tha se në parim e mbështet këtë projektligj, por ai dha disa vërejtje .

Shillova si ankesë më të madhe pati nenin ku flitet për themelimin e njësive policore për kryeqytet duke thëne se kjo mund të bëhet nga drejtori dhe jo nga qeverisja lokale.

“Kjo është ndërhyrje në kompetencat e Policisë së Kosovës”,  tha Shillova.

“Ne jemi të pajtimit të rrisim kompetencën por në harmoni me zinxhirin komandues”, shtoi ai.