Mbledhja e Komisionit për Interesat e Komuniteteve | Foto: KALLXO.com

Projektligji për Kontrollin e Financave i Shkon Kuvendit

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, i dha dritën e gjelbër Projektligjit Nr. 05/L  për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

Së bashku me këtë projektligj, rruga për në Kuvend iu hap edhe dy projektligjeve të tjera.

Në Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve u shqyrtua raporti i Komisionit Funksional për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me projektligjin për kontrollin e brendshëm të këtyre financave.

Drejtuesi i mbledhjes Agim Çeku tha se Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, komisioni funksional ia ka bërë 18 amendamente.

“Komisioni Funksional për Mbikëqyrjen e Financave Publike na ka përcjellë raportin me gjithsej 18 amendamente në këtë projektligj. Gjithashtu edhe në këtë raport të gjitha amendamentet janë me pëlqimin e njëzëri të komisionit funksional”, tha Çeku

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim gjithashtu miratoi Projektligjin  Nr.5/L-130 për Shërbime dhe Projektligjin me Nr.05/L-134 për Legalizimin dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Mjeteve Eksplozive.

Drejtuesi mbledhjes Çeku konstatoi aprovimin e njëzëshëm të këtyre tri raporteve.

“Atëherë komisioni  aprovoi të tria raportet njëzëri dhe  lus administratën t’ia përcjellë Kryesisë së Kuvendit”, tha Çeku.

Në tetorin e vitit të kaluar, para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ishte prezantuar Projektligji për Kontrollin e Brendshëm  të Financave Publike.

Me këtë projektligj rregullohet menaxhimi financiar, llogaridhënia financiare, pavarësia e auditimit të brendshëm,  por edhe përgjegjësia e udhëheqësve politikë.

http://kallxo.com/pergatitet-ligji-per-financat-e-brendshme-publike/