Projektligji për Inspektoratin e Arsimit në Tryezë të Krerëve të Arsimit

Krerët më të lartë që merren me arsim, të martën janë bërë bashkë për të diskutuar për Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se ky projektligj do t’i prekë çështjet më të ndjeshme në arsim.

“Me këtë ligj ne do të kemi mundësi që të prekim shumë më shumë gjërat në terren, në pjesën më të ndjeshme që janë mësimdhënësit, të cilët janë themeli i ngritjes së cilësisë”, tha Bytyqi.

Bytyqi deklaroi  se ky projektligj ka për synim t’i japë Inspektoratit të Arsimit edhe mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit, ndërsa tha se ligji i vjetër ka pasur mangësi.

“Në 70 për qind të rasteve Inspektorati i Arsimit është marrë me analiza të konkurseve dhe jo me zbatueshmërinë e legjislacionit”, tha Bytyqi.

Ndërsa Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, prezantoi hulumtimin për Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në këtë tryezë.

Qehaja tha se ky projektligj  ka ngjashmëri me ligjet e krahasuara nga vendet e rajonit me dallime më të theksuara në akte nënligjore të administrimit të punës së inspektorit.

“Projektligji në fjalë qëndron në vijë me ato eventuale. Ajo çka shpresoj që me nxitë debat këtu janë implikimet eventuale për zbatim të këtij ligji”, deklaroi Qehaja.

Ndërsa Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsimin e Kosovës përmendi disa vërejtje për këtë projektligj.

“ Ne e kemi një vërejtje më të madhe, dy të mesme dhe disa të vogla. Vërejtja kyçe është përfshirja e inspektoratit në licencimin e performancës së mësimdhënësve”, tha Pupovci duke aluduar se kjo  bëhet nga Këshilli Shtetëror për Licencim dhe nuk duhet të jetë pjesë e projektligjit.

Pupovci po ashtu tha se Inspektorati i Arsimit duhet të jetë agjenci e pavarur.

E kundër ndarjes së Inspektoratit të Arsimit nga Ministria e Arsimit, u shpreh edhe ministri Shyqiri Bytyqi.

“ A duhet të jetë Inspektorati  si agjenci apo në kuadër të Ministrisë? Unë pajtohem që gjithmonë i kërkohet ministrit dhe ministrisë që të rritet cilësia. Dhe nëse ia këpusim gjymtyrët ministrisë, atëherë nuk duhet kërkuar përgjegjësi. Ministri duhet të paguajë faturën politike nëse e ka ngritur cilësinë apo e ka ulë cilësinë”, tha ministri Bytyqi.

Kundër propozimit të Pupovcit u shpreh edhe Dëfrim Gashi, kryeinspektori i Arsimit.

“ Nëse ky organ del jashtë Ministrisë së Arsimit, zbehet puna e këtij institucioni. Ministria e Arsimit nuk ka ndonjë trup tjetër që mund të zbresë në klasë përveç Inspektoratit të Arsimit”, deklaroi Gashi.

Inspektorati i Arsimit mes tjerash mbikëqyr zbatimin e ligjeve në arsim.