Ministria e Drejtësisë njofton për versionin e katërt të Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve – Foto: KALLXO.com

Projektligj i Ri për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Robert Muharremi, këshilltar i ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një konferencë për shtyp tha se ky është version i katërt me radhë i këtij Projektligji.

Muharremi njoftoi se risi e këtij Projektligji është fakti se hetimin për shkelje disiplinore nuk do ta bëjë më Zyra e Prokurorit Disiplinor, por gjyqtarët do të hetojnë gjyqtarët dhe prokurorët do të hetojnë kolegët e tyre prokurorë.

Ky Projektligj u tha se është bazuar në procedurën disiplinore nga modeli i Kroacisë.

Sipas Projektligjit të ri Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës janë përgjegjës për fillimin e hetimeve dhe shqiptimin e masave disiplinore për gjykatës dhe prokurorë.

Ankesat e qytetarëve ndaj gjykatësve dhe prokurorëve paraqiten te kryetari i gjykatës ku punon gjykatësi apo te kryeprokurori ku punon prokurori për të cilin pretendohet se ka kryer shkelje disiplinore.

Ankesat kundër kryetarit të një gjykate bëhen te kryetari i Gjykatës Supreme.

Sipas Projektligjit të ri, autoriteti kompetent duhet ta shqyrtojë ankesën brenda 30 ditëve. Nëse ankesa është e bazuar, autoriteti kompetent duhet ta paraqes në KGjK / KPK kërkesën për fillimin e hetimit.

Në rast se autoriteti kompetent nuk e paraqet ankesën në Këshill, parashihet që si derë e dytë palët ta kenë Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit.

Këtyre të fundit nuk u lejohet hetimi e as shqiptimi i ndonjë mase disiplinore, mirëpo u lejohet inicimi i procedurës në Këshillin Gjyqësor apo atë Prokurorial të Kosovës.

Panelet hetuese do të formohen nga Këshillat përkatës dhe do të jenë të përbërë nga tre gjykatës kur hetohet një gjykatës, ndërsa nga tre prokurorë në rastet kur hetohet një prokuror.

Vendimi sipas këtij Projektligji do të merret nga Këshilli Gjyqësor apo ai Prokurorial me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit në takime të hapura.

Projektligji parasheh edhe risi të tjera siç është parashkrimi i shkeljeve disiplinore. Për shkelje të lehta parashihet afati 5 vjeçar, ndërsa për shkelje të rënda nuk do të ketë parashkrim të lëndës.

Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve u tha se i është dërguar edhe organizatave të shoqërisë civile, prej të cilave i presin rekomandimet deri më 10 maj.