Projekte për Mjedisin u Financuan nga BE-ja

Në një panair të organizuar në Pejë, 34 organizata të shoqërisë civile paraqitën projektet e tyre të financuara nga BE-ja përmes programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Këto projekte,disa nga të cilat lidhen me ambientin por edhe me punësimin e njerëzve me aftësi të kufizuara janë zbatuar në 26 komuna të Kosovës.

Organizata “Let’s do it Peja”, njëra nga përfitueset nga fondet e BE-së ka mbikëqyrur realizimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis në Pejë.

“Ky projekt është 10 mujor dhe është realizuar në Komunën e Pejës dhe të Gjakovës, me çrast është bërë vlerësimi i zbatimit të planit lokal të veprimit në mjedis në komunën  e Pejës, që ka qenë vitin 2009-2015 që është vlerësua sa është zbatuar plani lokal i veprimit në mjedis” ,tha për KALLXO.com Urim Xheravina, drejtori i “Let’s do it Peja”.

Në Gjakovë e njëjta organizatë ka realizuar projektin për themelimin e Komunitetit Konsultativ për Mbrojtje të Mjedisit.

BE-ja ka mbështetur edhe punësimin e personave me nevoja të veçanta.

“Nga projekti rezulton se një deri në dy persona kanë filluar të kyçen në punën e aftësimit profesional edhe dy janë punësuar në kompani private”,tha për KALLXO.com Isak Hyseni nga “Handikos”-i në Vushtrri.

Dario Di Benedetto, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë tregoi qëllimin e përkrahjes së projekteve të shoqërisë civile.

“Qëllimi i këtij projekti të financuar nga BE është të forcojë demokracinë dhe aktivizmin me bazë në komunitet. BE-ja është e vendosur që të sjellë ndryshim pozitiv në jetët e qytetarëve të Kosovës përmes nismave të tilla”, tha Di Benedetto.

Fatmir Curri, drejtori i programit tha se për grantet e BE-së aplikuan 250 organizata.

“Ne kemi marrë përmbi 250 aplikacione në dy raundet që i kemi tani 34 përfitues. Me secilin prej juve jemi krenarë, me disa jemi po ashtu shumë optimistë për rezultatet që kemi filluar me i pasë,” tha drejtori i KCSF-së.

BE për dy vjet ka ndarë gjysmë milioni euro për përkrahjen e këtyre nismave.