Pamje nga lansimi i projekteve për luftimin e korrupsionit në arsimin e lartë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Projekte për Luftimin e Korrupsionit në Arsim e Lartë

Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sot lansoi projektin me dy komponente specifike në fushën e arsimit: Forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë dhe nxitja e kulturës demokratike shkollore dhe diversitetit në shkolla.

Ky projekt, i cili do të zgjatë 2 vjet, ka për qëllim forcimin e integritetit dhe luftimin e korrupsionit në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë përmes aplikimit të mekanizmave parandalues dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit duke nxitur një kulturë demokratike në sistemin formal të arsimit nëpërmjet aplikimit të një qasjeje antidiskriminuese, duke u bazuar në standardet, praktikat dhe politikat e Këshillit të Evropës.

Zëvendësministri i Arsimit, Mevludin Krasniqi, u shpreh se këto dy projekte do ta kenë përkrahjen e plotë të Ministrisë dhe se rezultatet mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit.

“Ne si Ministri e Arsimit konsiderojmë se luftimi i korrupsionit dhe parandalimi i tij në sistemin e arsimit të lartë mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit dhe rritjes së transparencës së proceseve dhe gjithashtu edhe rritjes së llogaridhënies nga institucionet publike dhe institucionet tjera të arsimit të lartë”, tha Krasniqi.

Ndërsa zëvendësshefi i Seksionit të Operimeve nga Zyra e BE-së në Kosovë, Libor Chlad, tha se bashkëpunimi i Zyrës së BE-së me Këshillin e Evropës është në kohën e duhur por natyrisht se për ndryshime nevojitet kohë dhe nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe të përqendruara. Ai tha se mësimdhënësit kanë rol kyç në përmirësimin e sistemit të arsimit dhe se Zyra e BE-së do të bashkëpunojë me ta që t’u ofrojë ndihmë dhe rekomandime për përmirësimin e cilësisë.

“Mësimdhënësit e luajnë një rol qenësor në këtë proces. Vlerat e tyre etike dhe sjellja e tyre ditore duhet të jetë shembull. Ne do të punojmë me ta për të siguruar që të jenë në hap me kohën dhe që mesazhet e duhura të përçohen deri te nxënësit dhe studentët”, tha Libor Chlad nga Zyra e BE-së.

Ndërsa, Vesna Atanasova, nga Departamenti i Arsimit të Këshillit të Evropës, tha se kurrikula e re do të fokusohet në kompetencat e mësimdhënies dhe mësimdhënësve dhe se qëllimi i këtyre projekteve është qe t’u mësojmë nxënësve se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë.

Këto projekte pritet të përfundojnë deri më 30 nëntor 2018. Buxheti i tyre është 700 mijë euro dhe financohen nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës si pjesë e programit “Horizontal Facility for Western Balkans and Turkey”.

Redaktoi: Naser Sertolli