Profesori i Harvardit, Kyle K. Courntey, ligjëron para studentëve të UP-së - Foto: KALLXO.com

Profesori i Harvardit Ligjëron për të Drejtat e Autorit dhe Plagjiaturën

Kyle K. Courntey, profesor i drejtësisë në Universitetin e Harvardit (ShBA) ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku temë qendrore ishin të drejtat e autorit dhe plagjiatura.

Courtney ka thënë se plagjiatura është shumë më e përhapur në ditët tona sesa në të kaluarën.

“Tërheqja për të bërë plagjiaturë është më e fortë se kurrë për shkak të shpejtësisë së internetit dhe ndjenja e pronësisë është shumë më e dobët në internet, kemi faqet sikur Wikipedia, artikujt e të cilës nuk kanë një autor të vetëm”, ka thënë ai.

Profesori amerikan po ashtu tha se për dallim nga plagjiatura në sferën akademike, vjedhja e pronës intelektuale në media ka më pak pasoja.

“Sot kemi një kulturë të përtacisë teknologjike, është lehtë të kopjosh apo të huazosh (material) dhe ta vësh atë kudo, dhe shpesh plagjiatorët në media kapen vetëm për t’u punësuar në një medium tjetër pak kohë më vonë, pra nuk ka pasoja të vërteta”, ka thënë ai. “Plagjiatura e zvogëlon besueshmërinë e një mediumi, e bën atë të duket keq”.

Megjithëse e quan punë të vështirë, Courtney i rendit disa mënyra për ta luftuar plagjiaturën.

“Plagjiatura mund të luftohet përmes metodës ‘grassroots’ (aktiviteteve dhe ndryshimeve në nivelin më bazik), pra përmes edukimit të njerëzve që në kohën kur u duhet të shkruajnë detyra akademike. Duhet të kihet parasysh se nëse ti bën plagjiaturë ndaj pronës intelektuale të dikujt edhe veprat tua kreative mund t’i nënshtrohen vjedhjes së atillë”, ka thënë ai. “Plagjiatura e krijimeve të gazetarëve mund të luftohet edhe nga mediumi me të cilët ata janë kontraktuar”.

Kyle K. Courntey e ka dhënë këtë ligjëratë në kuadër të edicionit të pesëmbëdhjetë të Javës së Bibliotekës në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë.

Veç të qenit profesor, Courtney është po ashtu këshilltar për të drejtat e autorit në po të njëjtin universitet, bibliotekar dhe avokat. Shkrimet e tij janë publikuar në portale si Politico, Slate dhe Library Journal, ndërkaq libri i tij i fundit i botuar, “MOOCs and Libraries”, flet për kurset e hapura përmes internetit dhe përdorimi i tyre për trajnimin e stafit.

Sot, ndërkaq, ka nisur edicioni XV i Javës së Bibliotekës në Kosovë.

http://kallxo.com/delawie-plagjiatura-kancer-per-institucionet-e-arsimit/