Profesori Gegaj: Jam Pranuar Pa Konkurs

Driton Gegaj, i cili është profesor në Shkollën Profesionale “Avdyl Gegaj”, ishte dëshmitar i Prokurorisë në gjykimin e drejtorit të Arsimit të Suharekës, Sherif Berisha, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe cenim të të drejtave në punësim.

I pyetur nga prokurori Mehdi Sefa nëse në këtë pozitë ishte pranuar pa konkurs, Gegaj e pranoi se është pranuar pa konkurs.

“Në vendin e punës a keni marrë pjesë në konkurs, për vendin e punës në shkollën e mesme ku keni kontratë, ku jenë punësuar, më herët a keni marrë pjesë nëpër konkurse?”, pyeti prokurori.

“Për këtë vend të punës – jo”, u përgjigj dëshmitari.

Drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se gjatë viteve shkollore 2014/2015 dhe 2015/2016, në shkollat e Suharekës punësoi pa konkurs nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Dëshmitari Gegaj, duke e arsyetuar punësimin e tij pa konkurs, tha se është transferuar nga një shkollë tjetër, ku kishte mbetur pa orë, pasi që është punëtor i Drejtorisë së Arsimit nga viti 2002.

Në këtë shqyrtim u dha edhe fjala hyrëse. Prokurori deklaroi se gjatë shqyrtimit do të vërtetohet aktakuza ndërsa avokati Sehad Haliti tha se do të vërtetohet se klienti i tij, Sherif Berisha, është i pafajshëm.