Mbledhja e sotme e qeverisë, Foto: MZhE

Procedohet në Kuvend projektligji për Efiçencë të Energjisë

Në mbledhjen e radhës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Efiçencë të Energjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka tha se ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e kornizës ligjore me qëllim të përcaktimit të arritjes së caqeve të efiçencës dhe i cili i plotëson të gjitha direktivat përkatëse të BE-së, dhe përmbush kërkesat kryesore të këtyre akteve.

“Me krijimin e Fondit, Kosova do të fitojë fonde nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 10 milion euro në emër të këtij fondi”, tha kreu i MZHE-së.

Sipas Llukës, mjetet financiare nga donatorët janë zotim i Bashkimit Evropian, kurse mënyra e shfrytëzimit dhe menaxhimit të këtij fondi është e saktësuar me rregullat e caktuara me fondet simotra në BE.

“Efektet pozitive të fondit do të jenë; efiçenca e energjisë, ulja e shpenzimeve të energjisë në sektorin e ekonomisë familjare, ulja e shkallës së ndotjes në ambient si dhe efektet tjera pozitive që janë pjesë e shportës familjare”, vazhdoi Lluka.

Po në mbledhjen e 48-të të ekzekutivit është shqyrtuar edhe propozimi për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës.

Ministri Lluka tha se pas themelimit të kësaj ndërmarrje MZHE-ja sipas obligimeve ka filluar procedurën e regjistrimit të kompanisë.

“Ky bord i drejtorëve emërohet sipas ligjit dhe do të jetë bord i përkohshëm për 6 muaj”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë emëruar edhe dy anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci|”.

Ministri Lluka tha se afarizmi i ndërmarrjeve publike është përgjegjësi e bordit të drejtorëve dhe se plotësimi i bordeve është detyre e qeverisë.

“Ky bord nuk është funksional dhe emërimi i dy anëtarëve është rol i rëndësishëm. Emërimi i anëtarëve të rinj do të bëhet nga lista e pritjes siç parashihet me dispozitat ligjore. Dy të propozuarit janë Ejup Visoka, Mehmet Ballazhi”, shtoi ministri Lluka.