Arkiv - Pamje nga gjykimi në rastin "Stenta" | Foto: KALLXO.com

Probleme me Provat në Rastin ‘Stenta’

Të paktën katër avokatë kanë thënë se provat e dorëzuara nga prokuroria në formë të CD-ve nuk po u hapen.

Këtë shqetësim avokatët e të akuzuarve në rastin “Stenta”, e kanë ngritur në seancën përgatitore që u mbajt sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në këtë seancë që u zhvillua me kërkesë të avokatëve, edhe njëherë disa prej tyre thanë se përkundër që i kanë pranuar provat, nuk po mund t’i shohin ato për t’i shqyrtuar.

Avokati Florim Vertopi që në këtë proces gjyqësor mbron Astrit Bakiqin tha se ka problem me CD-në numër 1 të provave.

“Në këtë shqyrtim përgatitor gjykatës i dorëzoj provat se në CD nr.1  nuk po hapen provat,” tha Vertopi.

Vertopi nga përvoja e tij personale si avokat e paralajmëroi gjykatën se ka pasur raste kur Gjykata e Apelit ka miratuar ankesës e tij për shkak se prokuroria nuk ia ka zbuluar provat.

Vërejtje në prova pati edhe avokati Behar Ejupi.

Avokati Ejupi që në këtë rast mbron Ali Hocaoglun, me kombësi turke, pati vërejtje edhe në përkthimin e shkresave.

“I mbrojturi im Ali Hocaoglu nuk ka pranuar të gjitha CD-të në gjuhën turke. Ne si mbrojtje kemi pranuar 9 CD, ndërsa ai ka pranuar vetëm 3. Gjithashtu, sipas klientit tim, përkthimi nuk është ashtu siç duhet të jetë lidhur me shprehjet të cilat i ka përdorur prokurori i çështjes dhe përkthimi nga gjuha turke në gjuhën shqipe,” tha Ejupi.

Pasi dëgjoi brengat e avokatëve, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, tashmë i zgjedhur si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, i premtoi mbrojtjes se të gjitha provat do t’u dorëzohen brenda afatit të arsyeshëm.

Në seancën e sotme, ku të akuzuarit nuk ishin të pranishëm, por vetëm avokatët e tyre, u caktua që vazhdimi i seancës fillestare të mbahet më 28 shkurt të vitit të ardhshëm.

Seanca fillestare e rastit “Stenta”  ishte mbajtur më 21 tetor të këtij viti, por në të nuk ishte lexuar aktakuza dhe rrjedhimisht nuk ishin deklaruar të akuzuarit, pasi kishte munguar njëri prej tyre.

http://kallxo.com/gjykimi-per-stentat-ne-sallen-e-konferencave/

Një seancë e rastit “Stenta” ishte mbajtur më 30 nëntor, por ishte mbyllur për publikun, ndërsa mbyllja ishte arsyetuar me mungesën e hapësirës.

http://kallxo.com/mbyllet-per-mediat-gjykimi-ne-rastin-stenta/

Në këtë proces gjyqësor , të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish- ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësore që po nisin të gjykohen sot qenë arrestuar më 9 tetor 2014.

Një ditë më pas KALLXO.com siguroi dokumentin e prokurorisë me të cilin kërkohej paraburgim për mjekët e arrestuar në të cilin të arrestuarit e atëhershëm me sms flisnin për pacientë që nga institucionet publike i dërgonin në ato private në këmbim të përfitimit material.

http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/

Për rastin e stentave emisioni “Jeta në Kosovë” shfaqi një hulumtim në dhjetor të vitit 2014.

Stentat-Rrëfimet e Pacientëve

Me këtë hulumtim vitin e kaluar ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-dhe-kallxo-com-cmim-per-gazetari-hulumtuese-me-stentat/