Koncerti i ShKA "Agimi" - Foto: ShKA "Agimi"

‘Prizrenit i Kthehet ‘Agimi’ që i Kishte Munguar’

Koncertin e mbrëmshëm, Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” po e konsideron një moment të kthesës për të.

Përmes një programi cilësor, të ekzekutuar nga njerëzit më meritorë të ShKA “Agimi”, pas shumë vitesh u rikrijua njëri nga emocionet pothuaj të harruara festive, pikërisht në ngjarjen që shënon 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, thuhet në një komunikatë të kryesisë të kësaj shoqërie nga Prizreni.

Gjatë koncertit performuan kori, okteti, orkestra, grupi i valltarëve, valltarët veteranë dhe rapsodët.

ShKA “Agimi” njofton se për ta ndjekur koncertin shumë qytetarët dhe dashamirë qëndruan edhe në këmbë.

Koncerti është mbajtur në sallën e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”.

Në fjalën e hapjes, aktori dhe udhëheqësi i seksionit dramatik në ShKA “Agimi”, Xhevdet Doda, theksoi se koncerti është vazhdimësi e protestës artistike ndaj “të keqes e cila mori hov në fund të vitit të kaluar”.

Ai akuzoi një “grup të vogël individësh të papërgjegjshëm”, të cilët sipas tij po keqpërdornin një vlerë gjithëshoqërore, duke tentuar të përvetësojnë “Agimin” për qëllime të ngushta.

“Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piedestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës”, thuhet në njoftimin e kryesisë së ShKA “Agimi”, të cilët njoftojnë se paralelisht me protestën artistike po ndiqen edhe të gjitha rrugët ligjore.

KALLXO.com kishte raportuar për përçarjet në udhëheqjen e ShKA “Agimi”.

ShKA ‘Agimi’ me Dy Udhëheqje e Shumë Probleme

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtyre problemeve mund t’i gjeni në këtë link.

Fotot e mëposhtme janë nga koncerti i mbrëmshëm.