Privatizimi: Rritja e Paqartë e Tokës së Hotelit

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u bë e ditur se hoteli “Mineral” dikur shoqëror, u privatizua në vitin 2009, por nga viti 2007 kur u shpall tenderi, e deri kur u bart te privatizuesi dy vjet më vonë, disa herë ndryshuan të dhënat pronësore të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas emisionit, në fillim prona e tij vlerësohej 30 ari, e hoteli i vendosur në 420 metra katrorë, por më vonë toka u zvogëlua në 16 ari e ndërtesa e hotelit u rrit në 800 metra katrorë.

Mirëpo, siç nxori në pah hulumtimi, Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2007 kishte miratuar shitjen e hotelit pronën e të cilit e kishte vlerësuar prej 11 arësh, ndërsa shtrirjen e ndërtesës në 420 metra katrorë.

Por dy vjet më pas në një proces jo krejt të qartë, hapësira e tokës u rrit nga 11 në 16.65 ari dhe objekti i hotelit u shtua nga 420 metra katrorë sa e kishte aprovuar bordi për shitje, në 800 metra katrorë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ish-menaxherja e Hotelit “Mineral” Naziktere Spahiu po akuzon AKP-në se kanë falsifikuar të dhënat në dosjen e tenderit të kësaj ndërmarrjeje.

Por të njëjtën e kanë mohuar zyrtarët e AKP-së dhe blerësi i hotelit Emin Cakolli.

Siç tregoi hulumtimi, dyshimet për rritjen e hapësirës së tokës dhe të objektit në kontratën për bartjen e aksioneve nga AKP-ja te blerësi janë forcuar, pasi që Naziktere Spahiu dhe privatizuesi i ndërmarrjes Emin Cakolli iu futën nj kontesti në Gjykatën e Gjilanit pikërisht për një banese e cila ndodhet në tokën që u shit nga AKP-ja.

Me kërkesë të gjykatës, AKP-ja ka ofruar dokumentacione që tregojnë se Bordi i Drejtorëve të AKM-së në vitin 2007 nuk kishte vendosur të shiteshin 16.65 ari, por 11 ari tokë bashkë me 420 metra katrorë të hotelit dhe jo 800 metra katrorë.

Në Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Kamenicës figurojnë 16.65 ari tokë në emrin e Emin Cakollit dhe vetëm 311 metra katrorë hapësirë e hotelit.

Dhe siç shihet nga dokumentet që nga fillimi i procedurave për privatizimin e ndërmarrjes e deri te bartja e pronës në kadastër nga Emin Cakolli, të dhënat për hapësirën e tokës dhe objektit të hotelit nuk janë të njëjta.

Hulumtimin e plotë të “Drejtësisë në Kosovë” mund ta ndiqni më poshtë.