Privatizimi i Dyshimtë në Kamenicë

Të gjeturat nga hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë” tregojnë për dyshimet për keqpërdorime në procesin e privatizimit të ish-ndërmarrjes shoqërore “Hotel Mineral”.

Të dhënat nga dosja e privatizimit të këtij hoteli tregojnë se AKM-ja në vitin 2007 kishte shpallur tenderin për shitjen e hotelit së bashku me 30 ari tokë.

Hulumtimi po ashtu nxjerr në pah të dhënat se Bordi i Drejtorëve të AKM-së kishte aprovuar shitjen e vetëm 11 ari truall së bashku me hotelin, por dy vjet më vonë blerësi i ndërmarrjes ka nënshkruar kontratë me AKP-në për 16.65 ari dhe 800 metra katrorë objekte.

“Drejtësia në Kosovë” ju sjell edhe deklaratën e ish-menaxheres së këtij hoteli Naziktere Spahiu, e cila po pretendon se blerësit me procesin e privatizimit, i janë falur disa ari tokë nga kjo ndërmarrje.

Emisioni ju sjell edhe deklaratën e Emin Cakollit, i cili në vitin 2007 e bleu këtë ndërmarrje për 173 mijë euro.

Në pjesën e dytë të emisionit do të ndiqni intervistën me majorin Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës lidhur me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Majori Rexhepi në intervistën dhënë për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” tregon se çka ka ndryshuar me ligjin e ri, cilat janë risitë e këtij ligji dhe a janë ashpërsuar sanksionet për ata që shkelin rregullat e caktuara me këtë ligj.

Në fund të emisionit transmetohet rubrika e rregullt “Policia” ku do të mund t`i shihni filmimet ekskluzive nga aksionet e Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit.

“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në ora 22:30 në Radio Televizioni Publik të Kosovës dhe repriza jepet të hënën në mesditë.