Pritet të Shtohen Orët e Vozitjes

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim ekonomik u vendos që të shtohen orët praktike dhe teorike për marrjen e patentë-shoferit.

Nga 16 orë teorike sa janë në ligjin aktual u vendos të jenë 20 orë teorike me ligjin e ri, kurse orët praktike që në ligjin e vjetër ishin 20, në të riun u bënë 30.

Për një orë teorike tarifa minimale do të jetë 2.08 euro, ndërsa për një orë praktike kjo tarifë do ta ketë vlerën e 7.82 eurove.

Kjo tarifë u vendos pas llogaritjeve nga Ministria e Infrastrukturës të kostos e kohës së shofer-instruktorit, pagës, shpenzimeve e karburanteve dhe amortizimit të automjetit.

Çmimet deri më tani i kanë përcaktuar vetë autoshkollat, por me ligjin e ri kompetencat i kalojnë Ministrisë së Infrastrukturës duke mos e përkufizuar çmimin maksimal, por vetëm atë minimal, në mënyrë që të rritet përgjegjësia në punë dhe orët e paguara tu ofrohen kandidatëve, e assesi autoshkollat të mos jenë vetëm biznese, por shkolla profesionale të vozitjes.

Në mbledhjen e kaluar komisioni këmbënguli që shoferët e rinj duhet të trajnohen nga profesionistët për të shtuar sigurinë në rrugë, por me instruksione nga Ministria e Infrastrukturës u vendos që shoferët instruktorë të jenë me shkollë të mesme, me 5 vjet përvojë pune dhe jo më të rinj se 25 vjeç.

http://kallxo.com/116-amendamente-projektligjit-per-patente-shofer/

Ndryshimet në Projektligjin për Patentë-Shofer dhe vetë ky projektligj priten të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Në mbledhjen e sotme më së shumti u diskutua rreth një ligji për trajtimin e mbetjeve industriale, i cili mungon në Kosovë. Hartimin e një ligji të tillë e propozoi anëtarja e komisionit Sala Berisha-Shala.

“Mbetjet industriale nuk janë të rregulluara me ligj. Këto mbetje i ndihmojnë zhvillimit ekonomik sepse të gjitha mbetjet industriale nga ‘Trepça’ shiten pa kurrfarë kufizimi,” tha Berisha-Shala.

Me këtë propozim të ligjit u pajtua edhe anëtari Raif Qela i cili tregoi rastin e fundit kur “Trepça” shiti mbetjet industriale pa i dhënë llogari askujt.

Me këtë propozim të ligjit u pajtua edhe anëtari Raif Qela i cili tregoi rastin e fundit kur Trepça shiti mbetjet industrial pa i dhënë llogari askujt, njëherit Qala kërkoi që ligji i Trepçës duhet të amandamentohet.

“Pak më parë Trepça ka bërë një kontratë në vlerë prej 20 milionë euro për shitjen e mbetjeve industriale, pra këto mbetje kanë një vlerë mjaft të madhe. Po ashtu në këtë vit në planin e punës fare nuk po e shoh Ligjin për Trepçën të cilin vazhdimisht po e përmendim, ndërsa nuk po jemi seriozë në amandamentim të këtij ligji,”tha Qela.

Ajo çka u kërkua nga anëtarët e komisionit ishte që ligji të përcaktojë shfrytëzimin e mbetjeve industriale.

Komisioni përveç diskutimeve për ndryshimet e Projektligjit për Patentë-Shofer dhe mbetjet industriale, prezantoi edhe planin e punës dhe miratoi Projektligjin për Siguri në Punë në Veprimtarinë Minerare.

Plani i punës i këtij komisioni për vitin 2016 ka objektiv vizitën në agjencitë e pavarura, duke përfshirë edhe Agjencinë e Statistikave për të parë problemet e kësaj agjencie dhe dëgjuar arsyet pse kjo agjenci nuk i publikon statistikat e punësimit dhe prodhimit sipas sektorëve.

Gjatë këtij viti do t’i kushtohet rëndësi edhe vizitës te bizneset prodhuese.

Plani i punës përfshin edhe miratimin e disa projektligjeve, por rëndësi të veçantë sipas planit do t’i kushtohet monitorimit të implementimit të tyre.