Pritet Rifunksionalizimi i Zyrës për Vërtetimet e Veteranëve

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi propozoi funksionalizimin e zyrës së veteranëve pranë Zyrës së Kryeministrit me qëllimin që kjo zyrë të lëshojë vërtetime veteranëve që ende nuk i kanë ato.

Me këto vërtetime veteranët mund të marrin pensionet që u takojnë në bazë të ligjit.

“Po ngriti një çështje si parapërgatitje për mbledhjen e ardhshme të qeverisë që ka të bëjë me funksionimin e zyrës së veteranëve të UÇK-së pranë Zyrës së Kryeministrit përkatësisht angazhimin e dy personave së paku për punë specifike, kontratë të veçantë përmes së cilës këta persona do të bëjnë lëshimin e vërtetimeve për aplikimin e veteranëve për pensione”, tha Abrashi.

Abrashi propozimin e arsyetoi me faktin se ende ka veteranë që nuk kanë marrë vërtetimet.

“Pra nëse mund të përgatisim një vendim për mbledhjen e ardhshme të qeverisë ku i hapet rrugë punësimit apo angazhimit të dy-tre personave që vërtetimet të lëshohen në mënyrë që edhe ata veteranë të cilët nuk kanë marrë vërtetime t’i marrin dhe të aplikojnë për pensione”, tha Abrashi.

Kabineti qeveritar pastaj miratoi këtë propozim të Abrashit, ndërsa Kryeministri kërkoi që të gjithë veteranët të pajisen me vërtetime brenda për dy deri në tre muaj.

Aktualisht pension të veteranit marrin 28 mijë e 31 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që shpenzimet për veteranët dhe invalidët e luftës të mos cenojnë mjetet që ndahen për projekte tjera.

http://kallxo.com/shpenzimet-per-veteranet-shqetesojne-fmn-ne/

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për ndryshimin e Ligjit të Veteranëve me të cilin synon riklasifikimin e kësaj kategorie të ish-luftëtarëve.

http://kallxo.com/ndryshohet-ligji-per-veteranet-e-uck-se/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri