Foto: RTV21

Pritet Përkeqësim i Situatës nga i Nxehti

Turistët në qytetin e përjetshëm shfrytëzuan shatërvanët e shumtë të Romës për t’u freskuar, ndërsa termometri shënoi 41 gradë Celsius.

Në ishullin popullor të Sardenjës mërkuri preku 42 gradët.

Autoritetet franceze ngritën alarmin portokalli, i dyti më i lartë pasi juglindja e vendit dhe ishulli i Korsikës u prekën nga temperatura mbi 40 gradë celsius.

Shërbimet zjarrfikëse po qëndrojnë në gjendje gatishmërie, një javë pasi flakët përfshinë pjesë të ishullit në Mesdhe, transmeton rtv21.tv.

Temperatura rekord janë shënuar gjithashtu në Spanjë, Kroaci e Portugali.

Sipas ekspertëve, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë javën tjetër, kur disa rajone do të preken nga vala më e fortë e të nxehtit për këtë verë.

Autoritetet i bëjnë thirrje në veçanti të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të konsumojnë sa më shumë lëngje, të qëndrojnë në shtëpi në orët e pikut, të mbajnë veshje të holla e të qëndrojnë të freskët.

Edhe pse është e vështirë të sigurohen të dhënat e sakta, i nxehti mendohet të jetë përgjegjës për qindra vdekje, veçanërisht mes të moshuarve e atyre që vuajnë nga ndonjë sëmundje.

Vala e të nxehtit në vitin 2003 mendohet të ketë shkaktuar 70 mijë raste vdekjesh në Francë e vende të tjera evropiane. /21Media