Shpend Ahmeti në tregun e luleve | Foto: KALLXO.com

Prishtina me Treg Lulesh në Sheshin ‘Skënderbeu’

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka bërë hapjen zyrtare të tregut të luleve.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë vendosur 6 kioska me lule të prodhuara nga kompanitë kosovare.

“Kam kënaqësinë të hapim sot tregun e luleve në Komunën e Prishtinës, është tregu i parë i këtij lloji dhe ideja ka qenë që t’u ofrojmë mundësinë shitësve të luleve posaçërisht prodhuesve të luleve nga Kosova që të shesin në një prej shesheve më të frekuentuara të Prishtinës”, tha Shpend Ahmeti.

Për një muaj do të kenë mundësinë të shesin 6 kompani, ndërsa pas një muaji do të jenë pesë të tjera të cilat do të zënë vendin e tyre.

“Ne kemi hapur një konkurs ku kemi ftuar të gjitha kompanitë e luleve të cilët duan të shesin të aplikojnë, kanë apliku diku 12, ndërsa në fund janë pranu 11 aplikacione dhe do ta bëjmë me rotacion në mënyrë që secilit t’i japim mundësi që të shesë”, përfundoi i pari i Prishtinës.

Sipas kryetarit Ahmeti ky projekt është realizuar në bashkëpunim me “Demos” që është një projekt që bëhet bashkërisht me qeverinë zvicerane dhe një prej fushave kryesore është përmirësimi i hapësirave publike.

“Bashkë me ta kemi realizu dy projekte të kësaj natyre që është tregu i luleve dhe së shpejti edhe kiosqet e librave të cilat pritet që pasi të përfundojë procesi i konkurrimit edhe ajo të hapet shumë shpejt”, potencoi Ahmeti.

Shpend Ahmeti tha se kjo praktikë është marrë nga qytetet europiane që kanë zakonisht sheshin e luleve.

Ky treg do të jetë i hapur edhe gjatë vikendeve që t’ju jepet mundësi shitësve që të punojnë dhe qytetarëve të mund të blejnë lule të freskëta.