Foto: Komuna e Prishtinës

Prishtina dhe Ulqini me Mundësi Bashkëpunimi

Sipas komunikatës së lëshuar nga Komuna e Prishtinës takimi mes Shpend Ahmetit dhe Nazif Cungut, kryetarit të Ulqinit u zhvillua në qytetin bregdetar të Malit të Zi.

Komunikata njofton se gjatë këtij takimi dy kryetarët biseduan për çështje të ndryshme.

“Kryetari Cungu ishte specifikisht i interesuar për procesin e legalizimit, me ç’rast u dakorduan që një ekip i Sekretariatit për Urbanizëm nga Komuna e Ulqinit ta vizitojë Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe të njoftohet për së afërmi me rrjedhat e këtij procesi,” thuhet në komunikatën e komunës.

Shpend Ahmeti, gjithnjë sipas komunikatës, tha se përveç lidhjeve kulturore, kombëtare, shoqërore e familjare Prishtinë-Ulqin që tashmë ekzistojnë, të dy komunat po krijojnë edhe bashkëpunim institucional në mes veti.

“ Ai foli në veçanti edhe për bashkëpunimin ekonomik, me ç’rast u fol për pjesëmarrjen e prodhuesve dhe afaristëve ulqinakë në panaire në Prishtinë, promovimin e turizmit, si dhe promovimin e produkteve dhe prodhuesve kosovarë në tregun malazias në përgjithësi, por edhe në Ulqin në veçanti, e sidomos gjatë sezonit turistike,” shpjegoi komunikata e komunës.