Prishtina Bëhet me Hartë Turistike

“Trashëgimia Kulturore e Prishtinës” është guida 85 faqëshe e publikuar sot në gjuhët shqip, serbisht dhe anglisht.

Parqe, xhami, kisha, institucione shtetërore, sheshe, shatërvane, shtëpi të vjetra janë disa nga lokacionet që përbëjnë hartën turistike të Prishtinës.

NDËRLIDHUR

“Trashëgimia Kulturore e Prishtinës” është guida 85 faqëshe e publikuar sot në gjuhët shqip, serbisht dhe anglisht.

Kjo guidë përmban një historik të shkurtër për Prishtinën për 43 lokacioneve dhe për ushqimin tradicional.

Drejtoresha e departamentit të trashëgimisë kulturore në MKRS, Vjollca Aliu tha se publikimi kësaj guide është një përmbushje e obligimit që kanë ndaj opinionit publik.

“Sa i përket përmbajtjes kjo mund të jetë edhe një çështje debati pasi që ka shumë çka që mund të përmirësohet dhe të plotësohet tutje pasi që kjo është guida e parë që po publikon ministria”, tha ajo për kallxo.com

Ajo tregoi së guida të tilla janë duke u përgatitur edhe për qytetet e tjera dhe së shpejti do të publikohet për qendrën rajonale të Pejës dhe Prizrenit.

Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, Edona Dërguti tha se kjo guidë përmban vetëm të dhëna bazike dhe presin që në të ardhmen të kenë një më të plotësuar.

“Guida është realizuar për të bërë promovim e vlerave të trashëgimisë kulturore, dhe kjo në një formë shërben edhe si udhërrëfyes i pikave që mund të vizitohen nga qytetarët e Kosovës por edhe nga turistët e huaj”, tha ajo për KALLXO.com

Ajo tregoi se shumica e lokacioneve që përmban guida janë të qasshme nga vizitorët mirëpo ka të edhe të atilla që akoma janë duke u rinovuar.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj, si nikoqir i kësaj ngjarje tha se botime të tilla janë ndihmesë edhe për vizitorët e muzeut.

“Ne këtë rast ne e kemi promovu guidën e qendrës rajonal dhe do të vazhdojmë edhe me produkte të muzeut të Kosovës me buletin e muzeut të Kosovës dhe me disa botime të koleksioneve të muzeut”, tha ai për KALLXO.com

Ai tha se shpreson që kjo guidë të pasurohet edhe me informacione të reja që do të vijnë nga institucionet por edhe nga qytetarët.

Guidë është botuar në 500 ekzemplarë fizikë të cilët do të shpërndahen nga Muzeu i Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe nëpër qendra frekuentuese në qytet.

Guida së shpejti do të publikohet edhe online në faqen e MKRS-së dhe të Komunës së Prishtinës.

14 Korrik 2016 - 15:45

Alberina Haxhijaj 14/07/2016 - 15:45
NDËRVEPRIMI0