Preteni Dëshmon në Gjykimin e Limajt

Preteni dha dësshminë në gjykimin ku Limaj në periudhën kur ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre në lidhje me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit.

Preteni në fillim foli për misionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa pastaj shpjegoi procedurat që ky institucion ndjek kur heton kundër korrupsionit.

Preteni deklaroi se në vitin 2009 agjencia që drejton mori një shkresë për korrupsion të mundshëm në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit.

“Ne më 6 maj 2009 kemi pranuar një shkresë që lidhej me dyshimet për korrupsion në MTPT dhe ne kemi filluar procedurat,” tha Preteni.

Preteni tregoi edhe nga kush ka ardhur kjo shkresë.

“Kjo shkresë ka ardhur nga Mehmet Shkodra dhe personat që janë marrë me këtë rast nga AKK-ja kanë qenë Ekrem Demolli e më vonë edhe Burim Sadiku. Parashtruesi i shkresës Mehmet Shkodra është intervistuar nga zyrtarët e AKK-së,” tha Preteni.

Mehmet Shkodra ishte një biznesmen nga Gjilani, ndërsa sms-të e tij me ish-kryetarin e Gjilanit Qemajl Mustafa janë lexuar në mars e prill të këtij viti.

http://kallxo.com/qemajl-mustafa-ne-gjykimin-e-limajt/

Prokurori e pyeti Pretenin nëse Agjencia Kundër Korrupsion e ka incizuar intervistën me biznesmenin Shkodra.

Avokatët e të akuzuarve kërkuan që Preteni të mos pyetet për këtë çështje, ndërsa deklarata e Shkodrës të mos merrej si provë.

Trupi gjykues pas konsultimit vendosi që prokurori mund t’i referohet kësaj deklarate, por ajo të mos përdoret si provë prej tij.

Seanca e radhës e këtij gjykimi u caktua më 13 qershor.

Në këtë proces gjyqësor për të njëjtat vepra si Limaj- krim të organizuar dhe shpërdorim detyre ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.