Foto ilustruese: Pixabay

Pretendimet e Prokurorisë: Polici Kërkoi Mijëra Euro për Mbylljen e Hetimeve për Lojërat e Fatit

Një hetim disamujor i Prokurorisë ka nxjerrë në pah dyshime të forta për përfshirjen e hetuesve të Policisë së Kosovës në kërkesa për mitë nga pronari i lojërave të fatit.

Dosja e Prokurorisë pretendon se mijëra euro ishin kërkuar për të mbyllur dhe lehtësuar hetimin e Policisë që po bëhej ndaj kompanisë “EGTK II Shpk” të lojërave të fatit “Kajot”, kompani e cila ishte bastisur gjatë një aksioni të Policisë.

Prokuroria pretendon se një pjesë e parave do përfundonin në xhepin e Behar Millakut, zyrtar i Policisë së Kosovës dhe udhëheqësi i hetimit i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ilir Sadriaj dhe Shefqet Zogaj dhe polici Behar Millaku, kanë kërkuar dhe pranuar para nga i dëmtuari Skender Fetaj, pronar i kompanisë.

Aktakuza sqaron se Millaku ishte duke drejtuar një hetim ndaj kompanisë së lojërave të fatit.

Më tej, aktakuza thotë se puna e parë që Iliri dhe Shefqeti kishin bërë ishte që ta njoftonin pronarin e kompanisë se ata dinin çdo gjë për hetimin dhe se e njihnin për së afërmi policin që po drejtonte hetimet.

Për ta realizuar këtë, Shefqet Zogaj ishte informuar nga i akuzuari Behar Millaku për rrjedhën e hetimeve ndërsa informatat ishin bartur tek Ilir Sadriaj. Aktakuza pretendon se tërë  ky aktivitet ishte bërë me qëllim që të dëmtuarit Fetaj t’i merreshin para, të cilat më pas do dërgoheshin edhe te polici Millaku.

Aktakuza shpjegon edhe momentet kur një shumë parash ishte dorëzuar te grupi.

Ilir Sadriaj kishte kërkuar nga Avdi Qerimi, ish- punnëtor në “EGTII Shpk” shumën prej 4 mijë eurosh.

Në këtë pikë pronari kishte njoftuar Policinë ndërsa e kishte autorizuar një punonjës tjetër të dorëzonte paratë te personi që i kërkonte.

Këto të holla, gjithnjë sipas aktakuzës, Avdi Qerimi ia ka dhënë të pandehurit Ilir Sadriaj më 10 janar të vitit 2017 te pompa e derivateve “Kastrati” në Pejë.

Pas dorëzimit të kësaj shume, Iliri ishte takuar sërish me punëtorin Avdi Qerimi dhe kishte kërkuar aranzhimin e një takimi me pronarin e kompanisë, Skender Fetaj.

Takimi pretendohet të ketë ndodhur më 18 janar të vitit 2017 në një restorant në qytetin e Podgoricës, në Mal të Zi, ku pjesëmarrës ishin Sadriaj dhe i dëmtuari Fetaj.

Në këtë takim Prokuroria pretendon se i akuzuari Sadriaj i kishte thënë të dëmtuarit Fetaj se fillimisht duhet t’i japë 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, për t’i krijuar lehtësira gjatë hetimit, për t’ia shpëtuar asetet e sekuestruara nga ana e Policisë.

Kërkesat për mitë, sipas aktakuzës, nuk ishin ndalur.

I akuzuari Ilir Sadriaj ka kërkuar edhe 300.000 euro nga dëmtuari Skender Fetaj si dhe të njëjtin e ka sygjeruar që të ndërrojë avokatin e angazhuar në atë rast, në mënyrë që paratë prej 300.000 euro t’i dërgon përmes avokatit për t’ia dhënë policit me qëllim që t’ia mbyll tërësisht hetimet.

Dy ndërmjetësuesit ishin kujdesur që në takime ta paralajmëronin biznesmenin se polici nuk guxonte të takohej me ta.

Dorëzimi i parave

Tërë ngjarja ishte zhvilluar nën mbikëqyrjen e Policisë.

Biznesmeni e kishte raportuar rastin dhe dorëzimi i parave ishte kryer në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Siç shkruhet në aktakuzë, paratë ishin fotografuar për të siguruar prova për procedurën.

Më 26 janar të vitit 2017 shuma prej  30.000 euro ishte dorëzuar tek  Ilir Sadriaj. Aktakuza përshkruan se Sadriaj e Zogaj pasi i kanë pranuar paratë janë futur në bastore të ndryshme ku i kanë ndërruar ato.

Një ditë më pas, i akuzuari Shefqet Zogaj ishte takuar me të akuzuarin Behar Millaku, të cilit i kishte dorëzuar shumën e parave prej 2.000 euro. Millaku ishte ndaluar pas pak kohe nga Inspektorati i Policisë dhe në xhepin e tij ishte gjetur shuma e parave prej 2.000 euro.

Marrja në pyetje në Prokurori

Në aktakuzë prokurorja Dulina Hamiti nuk ka dhënë detaje lidhur me deklarimin e fajësisë të të akuzuarve gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, por vetëm ka treguar lidhur me atë se çfarë kanë deklaruar.

Gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, sipas aktakuzës, i pandehuri Behar Millaku ka deklaruar rreth takimeve me Shefqet Zogajn dhe kontaktimeve me të gjatë muajit janar të vitit 2017. Po ashtu, i pandehuri Millaku ka deklaruar se ka qenë udhëheqës i hetimit në rastin e kompanisë “EGTK II”, pronë e Fetajt, duke deklaruar se kallëzimin penal kundër Fetajt dhe të dysharve tjerë e kishte dërguar në Prokurorinë Speciale.

Më tej, i pandehuri Millaku në Prokurori ka deklaruar se Zogajt në muajin janar të vitit 2017 përmes telefonit i kishte thënë se Skender Fetaj nuk ishte në Kosovë si dhe ka deklaruar se e kishte kuptuar që Fetaj po vjen në Mal të Zi.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri ka shpjeguar këmbimet e informatave rreth rastit të kompanisë “EGTK II”, të cilën kishte qenë duke e hetuar, e të cilat informata deklaron se i kishte këmbyer me të pandehurin Shefqet Zogaj dhe me Avni Ibrahimajn.

Ilir Sadriaj, sipas aktakuzës, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se është takuar me të dëmtuarin Skender Fetaj në Podgoricë, në Mal të Zi, rreth shumës së parave të cilën ia kishte kërkuar të dëmtuarit Skender Fetaj. Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Sadriaj është deklaruar edhe rreth takimit në restorantin “Liridoni”, i cili gjendet në rrugën Pejë- Deçan, ku aty edhe i ka pranuar paratë prej dëshmitarit Bajram Kurmehaj, për çështjen e aparatave “Kajot” të të dëmtuarit Skender Fetaj, si dhe kontaktet dhe takimet me të pandehurin Shefqet Zogaj.

Ndërkaq Zogaj në mbrojtjen e tij ka deklaruar se është takuar disa herë me tani të pandehurin Ilir Sadriaj në muajin janar të vitit 2017. Po ashtu, i pandehuri, gjithnjë sipas aktakuzës ka deklaruar se është takuar me të pandehurin Behar Millaku gjatë muajit janar të vitit 2017, duke deklaruar se me të ishte takuar në Pejë nëpër lokale të ndryshme, madje njëherë te restoranti “Delta” në Pejë.

Gjykimi

Pretendimet e Prokurorisë ishte paraparë të lexoheshin në seancën e së premtës, ku Millaku dhe të tjerët pritej të dilnin para gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica.

Seanca është shtyrë pasi tre të akuzuarit nuk janë paraqitur në gjykatore.

Sipas gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, adresa e Millakut ka rezultuar të jetë jo e plotë, me ç‘ rast nuk ka pranuar ftesën.

Për Shefqet Zogajn po ashtu nuk ka prova se ka pranuar ftesën e rregullt për t’u paraqitur në gjykatore, derisa për Ilir Sadriajn u lëshua urdhëresë për sjellje me detyrim në Gjykatë, pasi që i njëjti ka pranuar ftesën por nuk është paraqitur.

Në këtë proces gjyqësor që pritet të fillojë në mars, Millaku akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të Hetimit të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, lidhur me hetimet e rastit të kompanisë “EGTK II” të lojërave të fatit “Kajot”.

Derisa, Sadriaj dhe Zogaj do përballen me akuzat e Prokurorisë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ushtrim i ndikimit.