Një pamje e ekranit të artikullit të "Telegraph" në lidhje me Malin e Zi me shenjën “i rremë” mund të shihet në web-sajtin e Ministrisë ruse.

Pretendimet e Podgoricës për Grusht Shteti Habisin Median Ruse

Ministria e Jashtme ruse planifikon të luftojë një grup ‘lajmesh të rreme’ rreth Rusisë duke ngritur një seksion të ri në web-sajtin e vet që synon të kundërshtojë dhe “ekspozojë” gënjeshtrat e medias së huaj.

Kjo vjen pasi Rusia akuzoi Qeverinë e Malit të Zi për një fushatë informacioni anti-ruse të mbështetur nga Perëndimi, lidhur me mbulimin e madh mediatik të dyshimeve për grusht shteti të mbështetur nga rusët që synonte të rrëzonte Qeverinë malazeze në tetor.

Media ruse raportoi për reagimin e Ministrisë së Jashtme pasi Moska denoncoi raportimet në faqen e parë të gazetës britanike “Sunday Telegraph”, që pretendonte se Kremlini kishte dorë direkte në komplotin për të vrarë ish-kryeministrin malazez Milo Gjukanoviq dhe për të ndaluar vendin nga anëtarësimi në NATO.

Një pamje e ekranit të artikullit të “Telegraph” në lidhje me Malin e Zi me shenjën “i rremë” mund të shihet në web-sajtin e Ministrisë, bashkë me disa artikuj të tjerë nga media perëndimore rreth dyshimeve për përfshirje të Rusisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale franceze.

Seksioni i ri në web-sajtin e Ministrisë përshkruhet se përmban “shembuj të publikimeve që përkthejnë informacion të rremë rreth Rusisë”.

Ministria tha se do të mblidhte të tilla “lajme të rreme” nga media e huaj, do t’i ekspozonte ato duke botuar burimet dhe të dhënat origjinale, që të provonte se pala ruse tashmë ishte përgjigjur ndaj yshtjeve në fjalë.

Zëdhënësja e Ministrisë, Maria Zakharova, akuzoi autoritetet në Malin e Zi se fshiheshin pas fushatës anti-ruse të informacionit në vend.

“Kjo fushatë nuk është e re. Thjesht po kalon në një fazë të re zhvillimi”, tha Zakharova.

“Kryeministri malazez Dushko Markoviq nuk mund të mos përfshihet në përdorimin e një teze të përhapur gjerësisht në SHBA dhe vendet e BE dhe ka akuzuar Moskën dhe shërbimet speciale ruse për ndërhyrje në procesin zgjedhor në atë vend”, shtoi ajo.

Zakharova theksoi se prokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniq ka shkuar edhe më larg duke thënë se shërbimi rus i sigurisë dhe forcat speciale kanë qenë aktive në territorin e Malit të Zi.

http://kallxo.com/shteti-rus-prapa-grushtit-te-shtetit-ne-mal-te-zi/

Në muajt e fundit – me një ritëm të shtuar në ditët e fundit, media ruse ka mbuluar gjerësisht akuzat se Moska ka mbështetur një përpjekje të opozitës për të rrëzuar Qeverinë e zgjedhur në Podgoricë.

Media ruse i ka quajtur akuzat plotësisht të pabaza, ku disa nga mediat kryesore janë tallur me pretendimet e Podgoricës se agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë së saj kanë parandaluar një komplot rus për të instaluar një qeveri pro-Moskë.

Media shtetërore ruse si “Sputnik” dhe “Rusia Today”, por edhe agjencia e lajmeve “Tass”, pothuajse kanë botuar çdo ditë reagime të zyrtarëve dhe analistëve rreth akuzave të prokurorit Katniq për orkestrimin e grushtit të shtetit në Malin e Zi nga rusët.

Sipas Katniq, kreu i grupit të grushtit të shtetit ishte rusi i njohur si Eduard Shirokov, me emrin e vërtetë Eduard Shishmakov – që ka qenë zëvendësatashe ushtarak në ambasadën ruse në Poloni, i pezulluar në vitin 2014 për spiunazh.

Në një artikull të titulluar “Ruaj qetësinë dhe fajëso Rusinë”, të publikuar të martën, “Sputnik” citoi analistin politik Vladimir Kireyev duke pyetur “a ka ndodhur vërtet ky grusht shteti?”

“Ata me gjasa nuk do të provojnë asgjë, por do të vazhdojnë me akuzat”, parashikoi ai.

Edhe gazeta online më liberale “Lenta”, e konsideruar më pak pro-Kremlin sesa mediat e tjera të zakonshme, në një artikull të publikuar të martën krahasoi historinë e Podgoricës me një teatër të absurdit.

Media tradicionale ka cituar zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov të ketë hedhur poshtë akuzat e Katniq si të papërgjegjshme. Mali i Zi ka dështuar t’i mbështesë ato akuza me informacion të besueshëm, tha Peskov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i quajti akuzat e Katniq “të pabaza”.

Sergey Kozlovsky, korrespondenti i BBC në Rusi, tha se mbulimi i çështjes malazeze në median ruse kishte qenë i madh sepse nuk janë bërë më parë akuza të tilla.

“Rusia moderne nuk është akuzuar kurrë më parë për një përpjekje grushti shteti në një vend evropian. Mendoj se mund të quhet një nga lajmet kryesore në Rusi, më e pakta”, tha ai për BIRN.

Megjithatë, Kozlovsky theksoi se disa media ruse po e mbulojnë historinë vetëm në terma të lajmit të rremë – duke e prezantur atë si një propagandë anti-ruse dhe e pakuptimtë.

Shumë gazetarë rusë vazhdojnë të theksojnë se nuk ka prova të mjaftueshme për përfshirjen ruse në përpjekjen e grushtit të shtetit, por vetëm spekulim mediatik dhe deklarata të zyrtarëve malazezë.

Mali i Zi dhe Ballkani mbeten rajone të rëndësishme në Rusi, të lidhura nga historia etnike, politika dhe feja, vazhdoi Kozlovsky.

“Ka shumë interes në ngjarjet që po ndodhin në Kosovë dhe Serbi. Çështja e një pranimi të mundshëm të Malit të Zi në NATO është shumë e rëndësishme në Rusi, ku shumë njerëz nuk vlerësojnë faktin “që vëllezërit sllavë” po i bashkohen aleancës ushtarake perëndimore që e shohin Rusinë si armiqësore”, tha ai.

Nga ana tjetër, një nga portalet më influencuese në Rusi, “fontanka.ru”, në një artikull të publikuar të martën, theksoi se rusët mbeten turistët më të shumtë në numër në Malin e Zi, pavarësisht mosmarrëveshjeve për grusht shteti dhe aspiratave të vendit të vogël buzë Adriatikut për t’u bërë një vend anëtar në NATO.

Artikulli tha se “grushti” nuk gishte dështuar të ndalonte valën e turistëve rusë për verën, por mund të ishte një lloj reklamimi për rusët kur zgjedhin destinacionet e tyre të pushimit.

“Sipas vëzhgimeve të rusëve që jetojnë atje, malazezët dinë të bëjnë llogaritë dhe të mos ngatërrojnë biznesin me politikën”, theksoi artikulli.

“Megjithatë, gjurmët e skandalit, pavarësisht miqësisë që ka zgjatur prej kohësh, mbeten aty”, arriti në përfundim artikulli.