Kolinda Grabar Kitaroviq, Presidente e Kroacisë

Presidentja Kroate Proteston në OKB për Pafajësinë e Sheshelit

Grabar Kitaroviq i dërgoi një letër të hapur Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon të martën duke shprehur pakënaqësinë e saj që gjykata e OKB-së në Hagë liroi nga akuzat liderin nacionalist serb Vojisllav Sheshel për krime kundër njerëzimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi gjatë luftërave të viteve 1990.

Grabar Kitaroviq tha në letër se vendimi ishte “një precedent i rrezikshëm” për gjyqet e ardhshme të njerëzve të akuzuar për gjenocid dhe spastrim etnik të motivuar nga ideologji nacionaliste apo raciste.

Ajo u shpreh gjithashtu se kjo ishte “shumë e dëmshme për procesin e krijimit të një pajtimi afatgjatë dhe tolerance etnike dhe fetare në zonën e Evropës Juglindore”.

Gjykata e Hagës e shpalli Vojisllav Sheshelin të pafajshëm më 31 mars për krime kundër njerëzimit, vrasje, persekutim, torturim dhe dëbim.

Gjyqtari shpjegoi se prokuroria nuk arriti të tregonte një lidhje konkrete midis fjalimeve nacionaliste të Sheshelit dhe krimeve të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, dhe tha se nuk kishte “asnjë provë vendimtare ligjore” për ta dënuar atë.

Por Grabar Kitaroviq e përshkroi Sheshelin – i cili aktualisht po bën fushatë elektorale për ta rikthyer partinë e tij të parlament në zgjedhjet e kësaj fundjave në Serbi – si një simbol “të intolerancës nacionale dhe fetare”.

Ajo tha se ai ishte një “simbol i persekutimit dhe spastrimit etnik në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Vojvodinë (në Serbi)” dhe ishte përpjekur të krijonte një “Serbi të Madhe” me dhunë gjatë luftërave të viteve 1990.

Grabar Kitaroviq më tej u ankua se Gjykata e Hagës nuk kishte siguruar ekstradimin e tre anëtarëve të Partisë Radikale Serbe – Vjerica Radeta, Jovo Ostojiq dhe Petar Jojiq- të cilët janë akuzuar për shpërfillje të gjykatës, duke kërcënuar dy dëshmitarë të mbrojtur në gjyqin e Sheshelit.

Ajo tha se Serbia nuk kishte arritur “të respektonte detyrimet e saj ndërkombëtare” duke mos i dërguar ata në Hagë që të përballen me akuzat.

Gjykata e Lartë e Serbisë duhet ende të vendosë nëse radikalët e sipërpërmendur do të ekstradohen, por qëndrimi i qeverisë së Beogradit është se ata duhet të ndiqen penalisht në atdheun e tyre.

Prokuroria e Gjykatës së Hagës ka lajmëruar se do të apelojë ndaj vendimin për lirimin e Sheshelit nga akuzat.