Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Presidenti Uron Kryetarin e Kuvendit

Lajm të mirë dhe hap të domosdoshëm për Kosovën e ka quajtur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Thaçi ka thënë se vendin e presin shumë sfida, “të cilat me një kulturë politike dhe debat demokratik duhet të gjejnë zgjidhje pikërisht në Kuvend”.

“Uroj kryetarin Kadri Veseli dhe nënkryetarët për emërimin e tyre dhe ftoj kryesinë e re, si dhe të gjithë deputetët që të bashkëpunojnë në temat që janë strategjike për të ardhmen e Kosovës dhe të fëmijëve tanë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ndryshe, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Kjo ishte përpjekja e shtatë për konstituimin e Kuvendit që nga seanca e 3 gushtit kur deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 11 qershorit e dhanë betimin.

Kandidati i koalicionit PAN-AKR, Kadri Veseli, u zgjodh me 62 vota, ndërsa kundër tij ishin 52 deputetë.

http://kallxo.com/kadri-veseli-zgjedhet-kryetar-kuvendit/