Thaçi në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Presidenti u Drejtohet Një të Tretës së Deputetëve

Në fjalimin vjetor Hashim Thaçi iu drejtua vetëm 40 deputetëve, pasi munguan deputetët e LDK-së, Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.

Thaçi gjatë fjalimit foli për transformimin e FSK-së në ushtri vitin e ardhshëm.

“Sot ju siguroj se bashkë me qeverinë, Kuvendin e partnerët tanë strategjikë do të punojmë që 2018-ta të jetë vit i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ai konstatoi edhe një herë se duhet të krijohet ekip uniteti për dialogun me Serbinë në Bruksel.

“U bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe çdo proces të interesit shtetëror. Sa herë jemi bashkuar kemi fituar dhe qytetarët na kanë mbështetur”, tha Thaçi duke folur për dialogun.

Thaçi konstatoi se duhet ratifikuar marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës.

“Duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi. Janë inkurajuese bisedat e fundit ku janë të involvuar të gjithë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë në javët e ardhshme”, tha Thaçi.

Presidenti u ndal edhe te sundimi i ligjit.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bazë për shtetin është sundimi i rendit dhe ligjit. Asnjë fushë nuk mund të jetë funksionale nëse ne dështojmë të tregojmë se të gjithë jemi të barabartë para ligjit.

Presidenti deklaroi se edhe Asociacioni i Komunave Serbe duhet të krijohet.

“Pa humbur kohë duhet të themelohet asociacioni në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e gjykatës, BE është e zhgënjyer me paaftësinë tonë”, tha Thaçi.

Thaçi tha fjalët e tij edhe për të kaluarën dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

“E kaluara jonë është e dhimbshme e kujtimet tona mbeten ende të freskëta. E kaluara na bën krenar për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja”, tha Thaçi.

Thaçi në fjalim foli edhe për lëshimet e bëra nga institucionet kosovare.

Ne nuk mundemi që vazhdimisht ta drejtojmë gishtin nga BE NATO. Duhet t’i pranojmë lëshimet e t’i përmirësojmë ato sa më shpejt”, tha Thaçi.

Ai uroi që 2018-ta të jetë vit i unitetit.