Presidenti Hashim Thaçi dhe homologia kanadeze, Julie Payette - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Thaçi Pritet nga Homologia Kanadeze

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Kanada është pritur nga homologia e tij, Julie Payette.

Gjatë takimit, sipas një komunikate të Presidencës, presidenti i ka shprehur homologes së tij kanadeze mirënjohje për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës tash e dy dekada.

“Jemi mirënjohës që keni ndihmuar Kosovën gjatë luftës, duke pranuar 7 mijë refugjatë, por edhe për kontributin në ndërtimin e paqes, duke qenë pjesë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare“, citohet të ketë thënë Thaçi.

Ndërsa, shefja e shtetit të Kanadasë, Guvernatorja e Përgjithshme, Julie Payette, ka treguar se në vitin 1999 kur në Kosovë kishte luftë, ajo ka punuar si astronaute dhe e ka fotografuar Kosovën nga hapësira.

“Nga lartë shihet vetëm globi, por jo edhe kufijtë“, ka theksuar ajo.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova dhe Kanadaja duhet të thellojnë bashkëpunimin, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.

“Përvoja e Kanadasë në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse është e vlefshme për Kosovën dhe duhet të mësojmë prej saj“, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi dhe homologia kanadeze kanë thënë se paqja, dialogu dhe bashkëjetesa janë vlera, parime dhe aspirata që bashkojnë Kosovën dhe Kanadanë.​

Gjatë vizitës në Otawa, presidenti Thaçi sot është pritur edhe në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme të Parlamentit të Kanadasë.

Edhe në këtë takim me deputetë kanadezë presidenti ka thënë se populli i Kosovës i është mirënjohës Kanadasë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës me dekada, përfshirë pranimin e mijërëa refugjatë, pjesëmarrjen në sulmet e NATO-s kundër forcave Serbe si dhe për operacionet e pasluftës, në rindërtimin e vendit dhe ndërtimin e paqes.

Po ashtu, deputetët kanadezë janë informuar për progresin e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe pranimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“E promovojmë dialogun në mes feve, që përfaqësohet më së miri me konferencën Inter-Faith, e cila mbahet çdo vit dhe bënë bashkë liderë fetarë, politikanë, studiues nga e tërë bota, të cilët diskutojnë për dialogun në mes feve. Jemi krenar me tolerancën dhe bashkëjetesën në mes komuniteteve fetare që kemi në Kosovë. Kjo vlerë është shembull për rajonin dhe më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Po ashtu, i pari i shtetit ka thënë se në Ballkan ka pasur edhe përpjekje depërtimi të fundamentalizmit dhe radikalizmit.

“Kemi qenë të suksesshëm në parandalimin e disa sulmeve terroriste në territorin e Kosovës, por edhe në rajon. Jemi anëtar aktiv i Koalicionit Global Kundër ISIS-it dhe lider në rajon në luftimin e terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit”, ka thënë Thaçi.

Për të forcuar infrastrukturën e sigurisë, ai ka thënë se është iniciuar edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe kjo do të bëhet me pajtimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.

Presidenti i Kosovëss para deputetëve kanadezë ka thënë se Kosova ka ecur larg që një dekadë dhe më nuk është vend i shkatërruar nga lufta, por vend që punon për anëtarësim në NATO e BE dhe që realizon me sukses reformat në ekonomi, në drejtësi dhe institucione demokratike.