Foto: Zyra e Presidentit

Presidenti Thaçi Polemizon me Komisionerin Johanes Hahn

Komentet e kreut të shtetit të Kosovës erdhën në ditën kur Hahn, pas takimit me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, shprehu shqetësimin për deklaratat që ai i quajti nxitëse.

“Ne u pajtuam se deklaratat nxitëse që mund të konsiderohen si ndërhyrje nuk janë të papranueshme dhe duhet të mënjanohen”, ka shkruar Hahn pas takimit në llogarinë e tij në Twitter.

Javën e kaluar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, edhe Presidenti i Kosovës Thaçi përmendën opsionin e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm në rast se dy BE nuk i hap dyert për këto dy vende.

Këto deklarata ngjallën kritika nga Uashingtoni, Brukseli dhe vetë Beogradi.

Por për Thaçin, komentet e sotme të Komisionerit Hahn tregojnë “të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, tha Thaçi në një deklaratë të tij të postuar në Facebook.

Sipas Thaçit, projekti i Shqipërisë së Madhe është “produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”.

“Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, tha Presidenti i Kosovës.