Presidenti Thaçi Mbështet Aksionin Ndaj Azem Sylës dhe 'Shokëve'

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur aksionin e sotëm të gjerë të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në një rast të tjetërsimit të pronës shoqërore.

Në mesin e të dyshuarve për këtë rast është edhe deputeti i PDK-së dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Thaçit gjatë dhe pas luftës, Azem Syla.

“E përshëndes dhe mbështes fuqishëm aksionin e organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe ligjit”, tha Thaçi në një postim të tij në Facebook.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes sonë europiane”, u shpreh ai.

Ai tha se pret nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore t’i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë.