Parim Olluri

Presidenti Thaçi Dënon Sulmin Ndaj Gazetarit Olluri

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë.

“Parimit dhe bashkëshortes së tij u uroj shërim të shpejtë, derisa nga organet kompetente kërkoj veprime të vendosura dhe të shpejta, në mënyrë që sulmuesit të dalin para drejtësisë”, ka shkruar ai.

Presidenti tha se gazetarët nuk duhet të dekurajohen nga akte të tilla kriminale. “Përkundrazi!  Ata duhet të vazhdojnë, me një vendosmëri të pathyeshme, rolin e tyre të pazëvendësueshëm në një shoqëri demoktratike”, shtoi ai.

Drejtori i portalit “Insajderi” është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur të mërkurën në mbrëmje. Për shkak të lëndimeve ai është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Gazetari Olluri në momentin kur u sulmua ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, e cila pas incidentit është alivanosur.

Sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri e kanë dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shumë kolegë të mediave të ndryshme.

http://kallxo.com/sulmohet-gazetari-parim-olluri-ne-prishtine/