Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra

Ilir Meta Bllokon Bisedimet Mbi Kufirin Detar me Greqinë

Presidenti Ilir Meta refuzoi një kërkesë të qeverisë për të autorizuar vazhdimin e negociatave me Greqinë mbi kufirin e detit Jon të të dy vendeve, potencialisht duke ndërprerë përpjekjen për të normalizuar marrëdhëniet.

Presidenti Ilir Meta të martën refuzoi të japë autorizimin për bisedime të mëtejshme me Greqinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kufirit detar, duke kërkuar informacion të mëtejshëm mbi atë se çfarë dhe si do të negocioj qeveria.

“Kërkesa nuk përcakton qartë objektin e negociatave për të cilat kërkohet autorizimi”, tha Meta në një deklaratë.

Negociatat për përcaktimin e kufirit kontinental, siç njihen, u rihapën vitin e kaluar midis qeverisë së krahut të majtë të Shqipërisë dhe autoriteteve greke, së bashku me bisedimet mbi çështje të tjera të pazgjidhura midis dy vendeve fqinje.

Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Greqinë në vitin 2009 pas dy vitesh negociatash, por Gjykata Kushtetuese shqiptare e anuloi atë në vitin 2010, pasi gjeti në të shkelje të kushtetutës dhe normave ndërkombëtare.

Vendimi u parapri nga një protestë e gjerë publike mbi akuzat për rrëmbim të tokës nga Greqia.

Një mesazh diplomatik amerikan nga viti 2008 i botuar nga WikiLeaks në vitin 2011 sugjeroi se kryenegociatori shqiptar ishte ankuar për trysninë e krijuar nga Athina nëpërmjet pozitës së saj si një vend anëtar i BE-së për ta bërë Tiranën të pranonte një marrëveshje të padrejtë duke kërcënuar të bllokonte integrimin evropian të Shqipërisë.

Çështja shkaktoi tensione të mëtejshme pas vitit 2013, kur kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u zgjodh kryeministër, pasi partia e tij e sfidoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010.

Por qeveria e Partisë Socialiste, duke shpresuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe shanset e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në, ka filluar që nga fillimi i diskutimeve të gjera me Greqinë që kanë për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme.

Ishte akuzuar menjëherë nga opozita për ‘shitjen’ e vendit.

Meta, i cili u bë president vitin e kaluar pasi më herët kishte udhëhequr Partinë e Lëvizjes Socialiste të Integrimit, e cila tani është në opozitë, mohoi akuzat se ai po luante politikën duke mohuar autorizimin ndaj qeverisë.

“Qëllimi i presidentit nuk ka qenë dhe nuk është të luajë politikë me një çështje aq serioze dhe delikate”, tha Meta në një konferencë shtypi të martën.