Presidenti Shkel Ligjin dhe Jep Shembull të Keq

Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i vendit ka dhënë një shembull jo të mirë për zbatimin e ligjit.

Presidenti së bashku me djalin Endritin kanë treguar se nuk e zbatojnë rregullin për ta vendosur rripin e sigurisë gjatë qëndrimit në makinë.

Sipas ligjit, mospërdorimi i rripit të sigurisë konsiderohet kundërvajtje që gjobitet me 40 euro.

Të kontaktuar për këtë çështje Policia e Kosovës e cila është në eskortën e Presidentit nuk ka dashur të komentojë nëse Presidenti dhe djali i tij kanë kryer kundërvajtje.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësi Daut Hoxha ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me e-mail, por gjatë  ditës ai nuk është përgjigjur.

Përgjigje për këtë çështje nuk ka dhënë as këshilltari për siguri i Presidentit, Bashkim Smakaj.

Familja e Presidentit Thaçi ka në pronësi një veturë të tipit Audi. Bazuar në deklarimin e Pasurisë që Thaçi ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, veturën e ka blerë në vitin 2016, ndërsa ajo ka një vlerë prej 15 mijë eurove.

Eksperti i Komunikacionit, Shemsedin Hajdari thotë se Presidenti Thaçi nuk ka dhënë mesazh të mirë tek qytetarët.

“Ai i cili shkel rregullat nuk jep shembuj të mirë, përkundrazi ai apo djali i tij që ka funksione politike apo shoqërore duhet të kenë kujdes në sjellje dhe veprime”, thotë Hajdari.

Javë më parë KALLXO.com raportoi edhe për shkeljet e ligjit të trafikut të kryera edhe nga kreu i PDK-së Kadri Veseli. Deri më tani Policia e Kosovës nuk ka njoftuar t’u ketë shqiptuar tiketa të trafikut këtyre zyrtarëve.