Presidenti Reagon për Sulmin me Vezë ndaj Ambasadores Çitaku

Presidenti Hashim Thaçi reagoi pas sulmit të mbrëmshëm me vezë ndaj ambasadores së Kosovës në ShBA Vlora Çitaku.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku mbrëmë u sulmua me vezë nga Vlerta Avdili e cila e quajti ambasadoren kriminele dhe përgjegjëse për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes , Astrit Dehari gjatë kohës sa ishte në paraburgim i dyshuar për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

NDËRLIDHUR

Kjo  ndodhi gjatë një aktiviteti që po mbahej në Universitetin e Denverit në SHBA ku ndodhej Çitaku, por edhe Christopher Hill.

Çitaku reagoi rreth kësaj ngjarje në llogarinë e saj në Facebook duke quajtur shpifje akuzat e Avdilit.

“Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin. Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda, dhe nga ato shpifje pa kripë. Është krejt normale të kemi mospajtime, por ato duhet të mbesin në nivelin e debatit, e asnjëherë në sulm e shpifje ndaj tjetrit”, tha Çitaku.

Por edhe Vlerta Avdili e shpjegoi në Facebook pse ndërmorri aksionin e gjuajtjes me vezë ndaj Çitakut.

“Aksioni im është individual kundrejt regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku. Ka vite që jam e indinjuar thellësisht me situatën e krijuar nga regjimi autoritar i instaluar në Kosovë nga partitë në pushtet dhe njerëzit e dala nga këto parti, si ambasadorja Vlora Çitaku”, tha  Avdili.

Lëvizja “Vetëvendosje” mohoi se sulmi lidhet me këtë subjekt politik.

“E ka shpjeguar vetë ajo në Facebook, është veprim individual nuk ka të bëjë me Lëvizjen Vetëvendosje”. tha për KALLXO.com zëdhënësi i LVV-së, Shkodran Hoti.

Sulmin me vezë ndaj Çitakut e dënoi Presidenti Hashim Thaçi.

“Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar”, shkroi Thaçi në Facebook.

Aktivistë të “Vetëvendosjes” gjatë vitit të kaluar por edhe parvjet shpesh kanë sulmuar me vezë zyrtarët kosovarë.

KALLXO.com ka shkruar për sulme të tilla. Ato mund t’i lexoni këtu.

18 Maj 2017 - 11:07

Doruntina Baliu 18/05/2017 - 11:07
NDËRVEPRIMI0

Presidenti Reagon për Sulmin me Vezë ndaj Ambasadores Çitaku

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend