Thaçi me presidentin gjerman | Foto: Presidenca

Presidenti Gjerman: Kosova ka Konsoliduar Shtetësinë

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier në urimin e tij ka thënë se Kosova ka konsoliduar në mënyrë të qëndrueshme shtetësinë.

Presidenti Hashim Thaçi ka pranuar urim në dhjetëvjetorin e pavarësisë nga homologu i tij gjerman Frank Walter Steinmeier.

Steinmeier në urimin e tij ka thënë se shtetësia e Kosovës në këta dhjetë vjet është konsoliduar në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti gjerman tregon në urim edhe çfarë duhet të bëjë Kosova në vazhdim, duke përmendur reformat, zhvillimin ekonomik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Letrën e plotë të Urimit të Steimeier të publikuar nga Thaçi, mund ta lexoni në vijim.

Zoti President,

Në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju uroj nga zemra.

Kur kthej kokën nga dhjetë vjetët e shkuar, gëzohem posaçërisht të shoh se shtetësia e Kosovës është arritur të konsolidohet në mënyrë të qëndrueshme. Më shumë se 110 njohje, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rishtazi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian paraqesin një bazë të qëndrueshme për zhvillime të tjera të suksesshme në vendin Tuaj.

Në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë. Unë, veç kësaj, Ju inkurajoj që së bashku me Serbinë të bëni hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ju mund të jeni të sigurt se Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës.

Edhe në emër të bashkëkombësve të mi, të gjithë qytetarëve në Kosovë iu uroj një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri, ndërsa Juve mbarësi.

Frank-Walter Steinmeier
President i Republikës Federale të Gjermanisë