Presidenti Fton Listën Serbe t’i Kthehet Punës në Institucione

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këmbënguli sot se Forca e Sigurisë e Kosovës do të shndërrohet në ushtri, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare, ndërsa ftoi serbët e Kosovës që ta përqafojnë iniciativën e tij për këtë çështje.

Gjatë një debati me gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile serbë e shqiptarë, Thaçi tha se kjo forcë tashmë ka marrë mision dhe detyra të reja që do ta shndërrojnë atë në një ushtri profesionale dhe se ky transformim tashmë është prioritet i Republikës së Kosovës.

NDËRLIDHUR

“Forca e Sigurisë së Kosovës është dhe do të jetë faktor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon por do të jetë e gatshme të kontribuojë sa herë që Kosovës do t’i kërkohet të japë kontributin e vet”, tha kreu i shtetit duke shtuar se transformimi i FSK-së bëhet në bazë të analizës së përpiluar në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë që e përcakton transformimin e FSK-së si objektiv me prioritet.

Thaçi tha se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ka mbetur peng i bojkotit që përfaqësuesit e serbëve po i bëjnë institucioneve të Kosovës tash e disa muaj.

“Asociacioni i Komunave Serbe duhet të themelohet, në bazë të dokumentit të Brukselit të nënshkruar nga ne, në bazë të aktvendimit nga Gjykata Kushtetuese, duke respektuar të drejtat e njeriut. Qeveria e Kosovës është e zotuar që të filloj ky proces sa më shpejt që është e mundur tani jemi në pritje të rikthimit të Listës Serbe në parlament dhe qeveri  që ata të marrin pjesë në këtë proces”, tha Thaçi.

Kur u pyet se a do të dalin para drejtësisë ata që kanë kryer krime kundër serbëve dhe kanë rrënuar monumentet e tyre, Thaçi u përgjigj se iniciuesi i luftës në Kosovë tashmë dihet botërisht dhe se rrënimi i monumenteve është bërë vetëm nga ushtria serbe.

“Gjatë tërë luftës në Kosovë janë rrënuar 300 xhami, pra monumente fetare të besimit islam, disa teqe dhe shtatë ose tetë kisha katolike të besimit katolik. Tëra këto rrënime disa prej tyre kanë pasur vlera historike trashëgimi kulturore. Pasuri e gjithë njerëzve të Kosovës, këto rrënime, këto shëmti, janë orientuar, dirigjuar, urdhëruar dhe kanë ndodhur nga ushtria, policia e shtetit të Serbisë”, tha Thaçi.

Ndërsa i pyetur se a do të padit Kosova shtetin e Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi u përgjigj duke thënë se Kosova herët apo vonë do ta bëj këtë gjë dhe se Serbia do të duhet të japë llogari për krimet e kryera gjatë viti 1998 dhe 1999 në Republikën e Kosovës.

16 Mars 2017 - 15:19

Liridona Ademaj 16/03/2017 - 15:19
NDËRVEPRIMI0

Presidenti Fton Listën Serbe t’i Kthehet Punës në Institucione

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend