Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Presidenti fal Vëllezërit Ramadani dhe Arben Kiçinën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që me dekret t’u falë dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe Arben Kiçinës.

Po ashtu personi i katërt i falur me dekret është Marko Sabiq.

Referuar dekretit të bërë publik në faqen e Presidencës, falja bëhet sot, ngase vendimi hyn në fuqi datën e nënshkrimit.

KALLXO.com raportoi dje për mundësinë e faljes nga presidenti të vëllezërve Ramadani dhe Arben Kiçinës.

Rasti “Kiçina” njihet si një ndër lëndët gjyqësore penale më të gjata në Kosovë – me 107 shqyrtime gjyqësore vetëm sa gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra  në vitin 2001.

Ata ishin dënuar me nga 30 vjet burg.

Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhej në aktgjykim.

http://kallxo.com/ekskluzive-presidenti-thaci-shqyrton-faljen-e-denimit-per-vellezerit-ramadani-dhe-kiqina/