Presidenti dekreton demarkacionin me Malin e Zi

Presidenti Thaçi dekretoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi

Në njotimin e zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës thuhet se duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në dekret thuhet se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekreton “Shpalljen e Ligjit Nr.06/L-60 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të miratuar nga Kuvendit i Republikës së Kosovës, më 21.03.2018, i shqyrtuar nga Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës, me aktvendimin (rasti Nr. KO45/18, Nr. Ref. 1225/18, datë 30.04.2018), dhe i pranuar nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, më 02.05.2018”.

Ky dekret ka hyrë sot në fuqi, pas nënshkrimit të tij nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Pas dy ditësh seancë e cila me vazhdime zgjati gati 20 orë, Demarkacioni u ratifikua.

Tri vjet diskutim, një tërheqje nga rendi i ditës në kohën e Kryeministrit Isa Mustafa, tri shtyrje të votimit në kohën e Kryeministrit Ramush Haradinaj, katër herë lotsjellës në ditën e ratifikimit dhe dhjetëra arrestime të deputetëve për lotsjellës viteve të kaluara, molotov e thyerje xhamash në protestat kundër kësaj marrëveshje: është bilanci i çështjes e cila u mbyll ditën e pranverës.

Demarkacioni- Një Ditë e Gjatë dhe Tre Vjet Diskutime