Presidenti dekoron kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Dekoron Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës

Pasi e ka përgëzuar për punën dhe kontributin që ka dhënë në zhvillimin e sportit, anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, presidenti Hashim Thaçi e ka dekoruar kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin, me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në një takim të zhvilluar në Presidencë, kryetari i KOK-ut është shprehur i nderuar me dekoratën që ka pranuar nga presidenti, duke thënë se ky është një motiv shtesë për arritjen e sukseseve të mëtejshme për Kosovën.

Sipas një komunikate të Presidencës, Hasani e ka informuar presidentin Thaçi për përgatitjet që po bënë KOK-u për Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018 dhe për Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020.

Ndërsa, presidenti Thaçi ka theksuar se përfaqësimi i Kosovës me sportistë në këto ngjarje është një mundësi shumë e mirë për promovimin e sportit tonë dhe e forcon edhe shtetësinë e Kosovës.

Dekorimi i kryetarit të KOK-ut ndodh në prag të trevjetorit të pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.