Hashim Thaçi| Foto: KALLXO.com

Presidenti: Deklarimi i KE-së për vizat, në pjesën e dytë të qershorit

“Pres që gjatë pjesës së dytë të qershorit të kemi deklarimin e Komisioni Evropian për vizat”, tha presidenti Hashim Thaçi në konferencë për media, ku përmendi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Pas Samitit të Sofjes, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu drejtua gazetarëve në një konferencë për media, që siç tha e ka thirrur për hirë të rritjes së transparencës.

Thaçi tha se një natë para se të nisë Samiti i Sofjes, ka takuar përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherinin dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

“Një natë para se të filloj samiti, jam takuar me Mogherinin dhe Vuçiq në selinë e BE-së në Sofje.

Të dyja palët jemi të vendosura të punojmë që të arrijmë paqe e stabilitet për shtetet tona, e me reflektim edhe për rajonin”, tha Thaçi para gazetarëve.

Në pyetjen se çfarë nënkupton situata ‘win-win’ që ai e ka përmendur në raport me Serbinë, Thaçi nuk dha përgjigje direkte, por tha se do të ruhet sovraniteti i Kosovës.

Ai tha se ka pasur disa tema diskutimi në këtë samit.

“Në diskutimet konkrete kemi qenë të koncentruar në temën e lidhjes, konektivitetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Thaci.

Po ashtu Thaçi tha se kanë diskutuar edhe për terrorizmin, krimin e organizuar dhe emigrimin ilegal.

Ai tha se ka takuar edhe liderët e vendeve të BE-së dhe të bisedoj me ta.

Thaçi përmendi Deklaratën e Sofjes, për të cilën tha se më e rëndësishmja është pika 2, në të cilën BE riafirmon mbështetjen e saj për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Samiti i Sofjes u mbajt në Bullgari më 17 maj.